Telegrafi

Basha: Vettingu i politikanëve, vaksinë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte këtë të diel në Fier për të prezantuar propozimet për reformën zgjedhore.

Pikat kryesore të propozuara prej tij janë: listat e hapura, barazia e votës,  vota e diasporit, presidenti të zgjidhet nga populli, ndërsa shtoi se është e domosdoshme vettingu i politikanëve, pasi vetëm kështu mund të largohën të korruptuarit e politikës.

“Ndaj listat e hapura janë A-ja e alfabetit tonë politikë kur vjen puna tek reforma zgjedhore. Lista të hapura, pa kufizime, pa artifica, pa herës. Kush merr më shumë vota futet në parlament dhe përfaqëson me dinjitet qytetarët që e kanë votuar. Natyrisht në vetvete nuk mund të funksionojë pa disa zgjidhje të tjera.

Ne e dimë që sot për shkak të zhvillimeve, elementë të cilët nuk kanë, nuk gëzojnë besimin e njerëzve, por përpiqen ta blejnë atë, janë në parlament, janë në bashki, janë në institucione.

Një sistem i listave të hapura, i pavaksinuar ndaj të korruptuarve që përdorin paranë dhe krimit të organizuar që përdor paranë e pisët dhe mjetet e tjera për të diktuar personat që do në Kuvend, apo bashki apo institucione të tjera, pra vaksinimi i listave të hapura përmes vettingut të politikanëve.

Kjo është një iniciativë e jona që në fakt është një përforcim i ligjit për dekriminalizimin”, u shpreh Basha.