Telegrafi

Basha thirrje policisë: Arrestojini hajdutët përpara se ta bëjë populli i bashkuar!

Nga protesta e opozitës Lulzim Basha ka paralajmëruar kryeministrin Rama se koha e tij ka marrë fund dhe se ai nuk do të mund ta përdorë parlamentin si një rulotë me rrota.

Madje Basha i ka bërë thirrje dhe policëve që ndodhen përballë protestuesve në mbrojtje të kuvendit, që të bëjnë detyrën e tyre dhe të arrestojnë hajdutët që sipas tij ndodhen brenda në parlament.

“Nga tmerri i bashkimit popullor, në mënyrë ilegale, ata ndryshuan seancën plenare për t’ju shmangur zemërimit të njerëzve. Kurrë më parë nuk është mbledhur një numër kaq i madh qytetarësh brenda një ore! Lexojeni mirë këtë mesazh, kjo qeveri i ka shpallur luftë popullit me banditët e veshur me pushtet që shkatërrojnë pronën e shqiptarëve. Ne jemi sot këtu me një mesazh të qartë dhe të prerë, që është mesazhi i shumicës së shqiptarëve, të djathtë e të majtë, Edi Rama ti që i ke hequr bukën e gojën shqiptarëve, që i detyron ata të emigrojnë jashtë vendit, nuk ke për ta bërë dot parlamentit rulotë me rrota… ora e të vërtetës ka ardhur dhe koha për fjalët ka mbaruar. Le ta dëgjojë gjithë bota zërin e vetëm që do të dëgjohet nga sot e tutje në këtë vend, zërin e qytetarëve”, ka thënë Basha në protestë.

Ai gjithashtu ka deklaruar se synimi i opozitës, është që ta largojn nga pushteti këtë qeveri duke i cilësuar “klikë e korruptuar”

“Ne e kemi nisur këtë betejë për fatin evropian të vendit. Ne luftojmë për vlerat evropiane të zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe jo kapjen e drejtësisë për të mbrojtur Dakon, Qazim Sejdinin, Saimir Tahirin e Damian Gjiknurin, të bërë njësh me krimin. Sonte të mbledhur në këtë shesh derisa ta largojmë këtë klikë të korruptuar, le të ushtojë zëri juaj, zëri i qytetarëve. Një thirrje për vëllezërit e motrat me uniformë. Ju qëndroni mes hajdutëve dhe popullit të dhunuar. Hiqini kapelet dhe arrestojini hajdutët siç e kërkon ligji. Arrestojini përpara se t’i arrestojë populli i bashkuar. Asnjë fasadë nuk pi më ujë, kupa është mbushur. Me Edi Ramën nuk do të ketë paqe. Do të vazhdojmë deri në largimin e klikës mashtruese që ka pushtuar vendin”, deklaroi Lulzim Basha.