Telegrafi

Basha: Terror policor ndaj dëshmitarit X dhe familjes së tij, duan ta vrasin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh në Kuvend se prej 72 orësh dëshmitari X, që del në audio- përgjimin e publikuar nga PD, dhe familja e tij, janë nën presion të tmerrshëm nga banda Xhafaj.

“Agron Xhafaj duhet të ishte nën arrest dhe nën hetim nga Prokuroria. Edi Rama dhe Xhafaj janë të zënë me një punë tjetër, se çfarë, do ta marrim vesh shumë shpejt.

Prej 9 ditët shqiptarët dhe opinion ndërkombëtarë kanë parë fakte që janë pranuar edhe vetë nga Xhafaj.

Agron Xhafaj i ka ikur gjithë këto vite drejtësisë.

I ka ikur drejtësisë gjatë gjithë procesit të dënimit. Agron Xhafaj nuk ka vuajtur asnjë ditë dënim. Deri dje, ai ishte në Vlorë. Ai ndërroi identitetin e tij.

Është fakt se Agroni vazhdonte aktivitetin e tij në Vlorë.

Dje papritur, ai u nis fshehurazi për në Itali, jo si ekstradohen të dënuarit, por me avionin e linjës.

Pesë vjet pa i hyrë gjemb në këmbë dhe papritur, pasi u publikuan faktet përcillet me nderime dhe mallëngjim të shtirë për në Itali.

Çfarë fshihet pas kësaj ngjarje? Policia duhet ta kishte ndaluar, prokuroria duhet të niste menjëherë hetimet.

Por policia ka marrë të tjerë urdhra nga Xhafaj. Banda Xhafaj po bën presion.

Policia është vënë pas familjes së dëshmitarit X dhe vetë dëshmitarit, duke ushtruar terror.

Policia e ka për detyrë të ndalonte Agron Xhafajn. Prokuroria e ka për detyrë për të hapur hetimet”, tha Basha.

Basha tha se shteti i Edi Ramës ka detyrë të gjejë dhe t’i mbyllë gojën dëshmitarit X dhe t’i mbyllë gojën opozitës. /Tema/Telegrafi/