Nga Uashigtoni, ku mori pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit Trump, kryetari i PD, Lulzim Basha ka udhëtuar drejt Brukselit, ku po merr pjesë në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane.
“EPP, si partia më e madhe në Komisionin dhe Parlamentin Europian, luan një rol kyç në politikën e BE-së”, ka deklaruar Basha në profilin e tij në rrjetet sociale.
Sipas tij, një nga qëllimet kryesore të takimit është bashkërendimi i aktiviteteve politike gjatë këtij viti, i cili për disa nga partitë anëtare është vit elektoral.
Këtu, Basha ka renditur CDU-në e kancelares Merkel, republikanët francezë dhe Partinë Demokratike të Shqipërisë. “Familja jonë politike do të na ndihmojë dhe mbështesë fuqimisht për fitoren tonë në zgjedhjet e ardhshme”, ka shtuar Basha.
Ndërkohë, kreu i opozitës shqiptare njofton se gjatë punimeve të asamblesë është takuar edhe me presidentin e ri të Parlamentit Europian, Antonio Tajani, të cilin e ka uruar për zgjedhjen në këtë detyrë.
Duke nënvizuar se, ai u zgjodh me propozim të grupit të EPP-së, Basha shton se, presidenti Tajani i ka dhënë një ndihmë të madhe Shqipërisë si zëvendës president dhe si komisioner i Komisionit Europian.
“Ai më shprehu përkushtimin e tij për ta mbështetur Shqipërinë edhe nga kjo detyrë e re”, ka thënë Basha .