Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka folur ashpër kundër pozites në seancën plenare të së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë.
“Isha në Lezhë dhe porti i Shëngjinit dukej si i bombarduar nga ajri. Peshkatarët janë lënë në mëshirë të fatit, ndërsa favorizohen vetëm një grusht peshkatarësh me lidhje me pushtetin. Të gjitha ligjet që sjellin këta në Kuvend janë ligje zhvatjeje. Oligarkët po ndajnë paratë me kryeministrin Rama dhe me politikanët e korruptuar, që s’kanë asnjë lidhje me interesat e qytetarëve”, tha Basha.
Ai kërkoi nga socialistët e ndershëm që t’i hapin rrugë një qeverie tranzitore për zgjedhje të lira dhe të ndershme, e të pandikuara nga krimi.
“Sot është rasti i parafundit t’i bëj thirrje ndërgjegjes së socialistëve të ndershëm, që t’i thërrasin zërit të arsyes për t’i hapur rrugë zgjidhjes politike për të spastruar vendin dhe Parlamentin kukull nga krimi dhe oligarkia që kanë kapur pushtetin”, u shpreh Basha.
Duke theksuar se vendi po përballet çdo ditë me ngjarje të rënda, Basha konkludoi se jemi në krizë sociale, ose më saktë jemi në krizë depresioni dhe jo thjesht ekonomike. “Mungon siguria në shkolla, ndërsa gjysma e bizneseve i kanë mbyllur qepenat, kurse ato që i mbajnë ende hapur janë fatlumë nëse sigurojnë pak lekë xhiro”, tha ai.
E gjitha kjo, sepse sipas Bashës kjo qeveri nuk e ka lidhur fatin e saj me qytetarët e saj, por me ata që janë denoncuar nga media vendase dhe të huaja, me bandat anembanë Shqipërisë. Basha theksoi se opozita ka shteruar çdo rrugë politike, ndaj paralajmëroi se në datën 16 shkurt, fjalën do ta marrë populli.
“As Bashkimi Europian dhe as Shtetet e Bashkuara nuk do t’iu lejojnë ta vazhdoni këtë maskaradë. Besoj se e keni marrë mesazhin, që në qershor nuk do ketë hapje negociatash për Shqipërinë. Përgjegjës për këtë është kryehajduti që është ulur në atë karrike, jo me votën e shqiptarëve, por me votën e krimit. Kjo është një faturë që s’mund ta paguajmë më. Jepini zgjidhje politike kësaj rruge, ndryshe që prej 16 shkurtit, qytetarët do ta marrin në dorë fatin e tyre, duke nisur me këtë sallë”. /Telegrafi/