Site icon Telegrafi

Basha: Shqiptarët kërkojnë zgjidhje sot, jo nesër

Kreu i Partisë Demokratike, Luzlim Basha, i shoqëruar nga Oerd Bylykbashi, ka zhvilluar këtë mesditë takimin me presidentin Ilir Meta në Presidencë, ku kanë folur mbi caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.

Në fund të takimit me Metën, Basha deklaroi se shumica e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje sot dhe jo nesër, pasi sipas tij, janë lodhur nga propaganda, dështimet dhe mashtrimet e qeverisë.

“Shumica absolute e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje sot, jo nesër. Ata duan zgjidhje sepse janë të lodhur nga propaganda, nga dështimet dhe mashtrimet. Qytetarët kanë nevojë urgjente për punë. Biznesi ka nevojë urgjente për mbështetje. Mjekët, infermierët kanë nevojë për rritje pagash, për kushte dinjitoze për t’u përballur me kolapsin e sistemit shëndetësor i cili është bërë edhe më i dukshëm prej pandemisë. Fermerët kanë nevojë për subvencione, kanë nevojë për treg shitje.

Të rinjtë kanë nevojë për mundësi për arsimim dhe punësim që të qëndrojnë, dhe të jetojnë e të ndërtojnë jetën e tyre këtu në Shqipëri. Pensionistët kanë nevojë për rritje reale, jo elektorale të pensioneve. Pra, shumica absolute e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje dhe zgjidhje sot, jo nesër. Për ne e rëndësishme është që procesi të jetë i lirë dhe i ndershëm. Dhe për ta mbyllur me fjalët e Nënë Terezës meqë nesër ka edhe ditën e Shenjtërimit, “E djeshmja ka shkuar. E nesërmja nuk ka ardhur akoma. Prandaj le të fillojmë të punojmë menjëherë për të sotmen dhe për të nesërmen, duke filluar sot të punojmë për ndryshimin”, tha Basha. /tch/

Exit mobile version