Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha po mundohet të mbajë gjallë frymën e protestës mes mbështetësve të tij, e këtë e tregon edhe me reagimin e fundit në rrjetet sociale, ku përsërit prej së shtunës mbrëma të njëjtin mesazh që dha edhe gjatë protestës së fundit të dhunshme kombëtare.
“Ne e kemi bërë zgjedhjen: me njerëzit kundër një qeverie-bandë dhe kryehajdutit të saj, që pasi i ka vjedhur dhe braktisur, tani i dhunon dhe i helmon ata!”, shkruan Basha në Facebook.
Ai gishtin e përgjegjësisë e drejton te kryeministri Edi Rama.
“Ky kryeministër hajdut është kapur duke vjedhur shqiptarët dhe duke blerë votat e tyre bashkë me krimin. Kjo qeveri-bandë u vuri kryqin shtëpive të shqiptarëve, i ka vënë kryqin të ardhmes sonë europiane”, thekson kryetari i opozitës Basha.
Sipas tij, populli tani i ka vënë kryqin kësaj bande hajdute dhe nuk do të ndalet. Basha e mbyll reagimin e tij me togfjalëshin Shqipëria, si Europa të shkruar në një “hashtag”. /Telegrafi/