Knut Fleckenstein deklaroi në fund të takimit me Metën se kishte zbritur në Tiranë për të ndjekur ecurinë e reformës në drejtësi, por në fund të takimit me të, Lulzim Basha foli për dy prioritete të tjera të opozitës dhe që të dyja lidhen me zgjedhjet.
“Sprapsjen dhe çmonitimin e dy problemeve kryesore në zgjedhjet shqiptare, shit-blerja e votës dhe ndikimi i krimit jo vetëm si kandidat, por edhe si kontigjente intimiduese të kandidatëve, qytetarëve dhe administratës zgjedhore. Kjo ka marrë pjesën më të madhe të diskutimit. Çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është kthyer në fokusin e ndërkombëtarëve si çështje urgjente dhe ndërkombëtarët mbështesin përpjekjet e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Basha.
Partia Demokratike arrestimin e Emiljano Shullazit e sheh si hap të parë drejt reformës në drejtësi, raporton Top Channel.
“Arrestimi i tij mund të jetë një pikë kthimi. Shpresoj që të jetë një pikë e fuqishme kthese në këtë drejtim, ku lidhjet politike të Shullazit që shkojnë drejtpërdrejtë tek Tahiri dhe shefi i tij. Çështja të shërbejë si një test i monitoruar nga SHBA dhe BE. Të shërbejë si hapi i parë për reformën në drejtësi. Kjo ka rëndësi, sepse paketa ligjore është një copë letër nëse nuk dënohen kriminelët me damkë, si Emiljano Shullazi”, tha Basha. /Telegrafi/