Lulzim Basha ka thënë se Partia Demokratike (PD) do të mbështesë përpjekjet e partive në Kosovë në qëndrimin e tyre të drejt për mos ndryshimin e kufijve.
“PD do të presë zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, dhe nuk do ti paraprijë këtyre zhvillimeve. Por, PD do të mbështesë fuqimisht forcat politike në Kosovë në qëndrimin e tyre të drejt për mos ndryshimin e kufijve, për ruajtjen e formës unitare të qeverisjes në Republikën e Kosovës dhe për orientimin Evropian dhe euroatlantik”, deklaroi ai.
Basha në emisionin “Fakt” në syri.net ka thënë se për momentin duhet të fokusohemi të ruajmë perspektivën Evropiane të Ballkanit.
Kreu i PD-së nuk ka dashur të komentojë deklaratat e Presidentit Thaçi në raport me liderin historik të PD-së, Sali Berisha.
“Nuk ka asnjë pikë dyshimi, se ata që e rihapin temën e ndryshimit të kufijve të Ballkanit, duan të mbyllin perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit në BE, dhe të bëjnë sabotimin e NATO-s dhe krahut të saj jugor”, tha Basha.
Basha ka thënë se shprehjen “korrektim të kufijve” nuk e kuptoj, ndërsa ekziston vetëm demarkimi i kufijve.
Duke folur për punën e tij në Mitrovicë, Basha ka thënë se për gjashtë muaj ai ka udhëtuar çdo mëngjes në Mitrovicën e Veriut.
“Në Mitrovicën e Veriut për gjashtë muaj kam shkuar çdo mëngjes i shoqëruar nga autoblindat dhe pothuajse dy herë në javë kam qenë i rrethuar nga paramilitarët serb”, deklaroi më tej Basha.
Basha ka thënë se ka një kod që e ka trashëguar nga PD, se nuk mund të bëj akuza ndaj klasës politike në Kosovë.