Telegrafi

Basha pas ftesës së Speciales për Veselin: Askush s’e përdhos dot luftën dhe sakrificën sublime të popullit të Kosovës

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një statusi në rrjetet sociale ka reaguar në lidhje me ftesën që Gjykata e Hagës i ka bërë kryetarit të PDK-së Kadri Veseli.

“Askush nuk e përdhos dot luftën çlirimtare dhe sakrificën sublime të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tij të thirrur në Hagë do ti dëshmojnë sërish botës drejtësinë e kauzës së lirisë nga pushtimi dhe shtypja çnjerëzore”, ka shkruar Basha.

Ndryshe, Veseli do të intervistohet nga Dhomat e Specializuara më 4 dhjetor në Hagë. Kështu ka bërë të ditur vetë Veseli përmes një konference për media.

“Si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë sot kam pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara, për t’u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë.

Ashtu siç jam zotuar, se në momentin që do ta kisha një ftesë të tillë, unë do ta bëja publike. Gjenerata ime, si shumë gjenerata të tjera, ka përjetuar shtypjen e rëndë të kombit tonë”, ka thënë sot Veseli. /Telegrafi/