Site icon Telegrafi

Basha: Paketa e Qeverisë nuk mbulon nevojat e krizës

Foto: Arkiv

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbështetur shqetësimet dhe propozimet e ngritura nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Basha thotë se i ka kërkuar qeverisë angazhimin e të gjitha resurseve ekonomike në buxhet për të mbështetur biznesin nga vështirësitë e krijuara për shkak të pandemisë.

Për këtë gjë, ai ka ripërsëritur dhe njëherë thirrjen për rialokimin e fondeve të vendosura për koncesionet.

“Qeveria shqiptare duhet të rialokojë fondet e vendosura në buxhet për PPP-të, nga shpenzimet operative si edhe nga investimet publike dhe ti vërë ato në funksion të nevojave shëndetësore dhe ekonomike”, shkruan Basha.

Sipas kreut opozitar, fondet e qeverisë për 3 muaj nuk i mbulojnë nevojat e krizës.

“Fondet e shpallura nga qeveria prej 50 milionë euro në total për 3 muaj, për shtresat në nevojë, pagat e biznesit të vogël dhe pagesën e papunësisë, nuk i mbulojnë nevojat e krizës. Pas shëndetit, ekonomia duhet të jetë prioritet absolut i qeverisë. Shqipëria ka nevojë për masa gjithëpërfshirëse dhe jo fjalë. Koha është tani, sepse çdo vonesë do kushtojë shtrenjtë”, thotë Basha./tvklan.al

Exit mobile version