Site icon Telegrafi

Basha: Pajisja e përgjimit asgjësoi Republikën

Prokuroria thotë se është duke hetuar pretendimet e opozitës për ekzistencën e një pajisjeje përgjimi në zyrat e Policisë së Shtetit, ndërkohë që Partia Demokratike jo vetëm që është e bindur për këtë fakt, por e ka vendosur edhe në rend të parë në agjendën e vet politike.

“Në hierarkinë e skandaleve të kësaj qeverie, ky zë vendin e parë dhe përgjegjësitë për këtë shkojnë drejtpërdrejtë tek Edi Rama”, tha në një deklaratë për shtyp, kreu i demokratëve, Lulzim Basha.

Ajo që bind akoma më shumë Bashën është heshtja e Edi Ramës për këtë. “Nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme duke e bërë edhe më të besueshëm që ky krim ka ndodhur me dijeninë dhe bekimin e tij”, shtoi ai.

Opozita shprehet e vendosur për t’i shkuar kësaj çështjeje deri në fund dhe këtë do ta bëjë përmes Komisionit të Sigurisë.

“Transparenca është një emergjencë ligjore, politike dhe morale për të gjithë spektrin politik, mediatik dhe shoqëror në vend. Qytetarët duan të mësojnë të vërtetën, ndaj kemi kërkuar një dëgjesë urgjente nesër paradite në Komisionin e Sigurisë me ministrin e Brendshëm, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, kreun e SHISH dhe prokurorin e Përgjithshëm për të hedhur dritë mbi këta ngjarje dhe përgjegjësitë shtetërore”, deklaroi Basha.

Pavarësisht rezultatit që do të dalë nga dëgjesat e mësipërme në Komision, Basha përgjegjësinë kryesore ja faturon kryeministrit.

“Përgjegjësi politike e Edi Ramës për përgjimin mafioz të Presidentit, krerëve të institucioneve, ambasadorëve, drejtuesve të medias, gazetarëve dhe qytetarëve. Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi për këtë paligjshmëri që nënkupton asgjësimin e Republikës”, mbylli deklaratën e tij Basha. /Telegrafi/

Exit mobile version