Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur sot nga qyteti i Elbasanit turin e takimeve të quajtur “Rrugëtimi për Shqipërinë”. Këtë pasdite Basha është takuar me të rinjtë elbasanas, të cilëve u ka shprehur se zotimi i parë i tij dhe i PD-së është rikthimi i shpresës në vend.
“Rinia është ajo që i kanë hequr të parës vëmendjen qeveritarët e sotëm. Dështimi numër një i kësaj qeverie, është dështimi me rininë. Jo për faj të rinisë por për shkak se kjo qeveri ka vrarë shpresën.”- ka thënë Basha.
Më tej, lideri i opozitës së bashkuar joparlamentare foli dhe për emigrimin, që e cilësoi si një problem të tmerrshëm ekonomik. “Humbja potenciale e mundshme nga emigracioni është 559 milion euro.”- tha kryedemokrati.
Turi i takimeve “Rrugëtimi për Shqipërinë” ka nisur sot dhe do të vijojë në Korçë, Shkodër, Vlorë dhe Krujë. “
Objektivi kryesor i këtyre takimeve është projektimi i zgjidhjeve afatgjata, për çdo çështje dhe problematikë që vetë qytetarët do të ngrejë përmes pyetjeve të drejtpërdrejta drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike, Basha.”- shkruhet në njoftimin e selisë blu mbi agjendën e kësaj jave të Bashës.
Prej kohësh, Basha është shprehur se vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të parakohshme, si rruga e vetme për zgjidhjen e krizës politike. Sipas tij, vendi është gati të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme menjëherë pas kalimit të Reformës Zgjedhore, që do të mund të garantonte kushtet për zgjedhje të lira.
Pak ditë më parë, kreu i PD-së është shfaqur në një video-mesazh tipik të spoteve përgjatë fushatave, ku i drejtohet sovranit me sloganin “Shqipëria ime”. “Megjithë sfidat që kemi përpara, i yni është një vend mahnitës, me njerëz të talentuar dhe plot potenciale të jashtëzakonshme. Është koha që së bashku t’i vëmë në jetë.”- shkruante Basha bashkëngjitur videos, ku ndër të tjera promovohen bukuritë natyrore të vendit, që përbëjnë potencialin e sektorit të turizmit.
Ndërkohë, në një intervistë të dhënë së fundmi për televizionin “Vizion Plus”, Basha deklaroi se opozita e bashkuar joparlamentare është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme, me kushtin e vetëm që qytetarëve t’u garantohet vota e lirë.
I pyetur nëse opozita i qëndron kushtit të cilësuar si të panegociueshëm për pjesëmarrjen në zgjedhje, largimit të kryeministrit Edi Rama, kryedemokrati dha një përgjigje të nënkuptuar. “Secili duhet t’i bëjë pyetjen vetes: Një njeriu, i cili është kapur duke vjedhur edhe veten e tij, siç ndodhi me 30 qershor, mund t’i besohet se do të organizojë një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme? Po të lexojmë në raportet e OSBE/ODHIR-it përgjigja është e thjeshtë: Jo! Po të lexojmë kushtet e Bundestagut, përgjigja është e qartë: Jo. /lapsi.al/