Në përfundim të takimit me strukturat e PD-së në Shkodër, kreu demokrat Lulzim Basha foli për mediet në lidhje me deklaratat e dhëna këtë të enjte nga eurodeputetët e pranishëm në Tiranë, me të cilët kishte zhvilluar një takim një ditë më parë në përpjekje për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri.
“Nuk komentoj kurrë deklaratat e miqve të huaj. Ne jemi këtu dhe e bëjmë këtë sakrificë sepse luftojmë për vlerat e Europës. Rruga drejt Europës do ta çojë Shqipërinë drejt mirëqenies. Sakrifica jonë është e domosdoshme për të zhbllokuar pikërisht këtë rrugë, të cilën e pengon hajdutllëku dhe qeverisja me krimin”, tha Basha.
Edhe pse refuzoi të komentonte drejtpërdrejt deklaratat e Knut Fleckenstein dhe të tjerëve, Basha tha në mënyrë jo të drejtpërdrejtë se “partnerët tanë janë helmuar nga propaganda e Edi Ramës”.
“Pengesa kryesore për të shkuar në Europë janë zgjedhjet e vjedhura, pengesë për integrimin është Shqipëria që është bërë si Kolumbia. Ndaj ka vetëm një rrugë: qeveri tranzitore dhe zgjedhje pa Edi Ramën”, tha Lulzim Basha.
Ai theksoi se “Shqipëria nuk ka Parlament, por një bandë”.
Sipas Bashës, hapat e mëtejshëm të opozitës do të bëhen me qytetarët. Ndërkohë që ndërkombëtarëve iu bëri pyetjet e zakonta të ditëve të fundit.
“A do të pranonin ndërkombëtarët për vendet e tyre, atë që iu kërkojnë shqiptarëve? Të mos më kërkojnë asgjë, që nuk do ta pranonin për popujt e tyre”, tha Basha. /Telegrafi/