Site icon Telegrafi

Basha: Në një vend ku grabitet me kostum, ka dhe grabitje me maska

Kryetari i opozitës së Shqipërisë, Lulzim Basha ka reaguar për grabitjen e sotme në një bankë në qytetin e Vlorës. Basha shkruan se, kjo është e katërta vjedhje bankash në harkun kohor të 18 muajve.

Kreu i PD-së thotë se, kur vendin e qeverisin grabitës me kostum, grabitje me maska do të ketë.

“Njëra grabitje me armë pason tjetrën, dhe nuk janë vetëm milionat me euro që po avullojnë çdo ditë, por më e rëndë është vjedhja e çdo standardi sigurie. Kur një grup i armatosur e me maska futet në mes të ditës në territorin që duhej të ishte më i blinduari në vend, në pistën e avionëve të aeroportit ndërkombëtar, kur me lehtësi e me shpërfillje kriminelë të armatosur, hyjnë në mes të ditës në një bankë që është një objekt i ruajtur mirë, në sheshin kryesor të qytetit, a mund të përfytyrohet se sa i sigurt është një qytetar në rrugë, në punë, në banesën e tij”.

Basha shprehet se arsyeja kryesore e grabitjeve me armë në mes të ditës është se sigurinë që nuk e kanë më qytetarët e vendit, e ka krimi.

“Krimi është sot më i sigurt se kurrë më parë, sepse krimi ka kapur të vetmin armik që mund të ketë, të vetmen instancë para të cilës zmbrapset, që është qeveria, që është kryeministri, ministri i brendshëm dhe krerët më të inkriminuar të policisë së shtetit në këto 25 vite”.

Kryeopozitari shkruan gjithashtu se, koha e grabitësve me maska dhe e grabitësve me kostum qeveritari po sos.

“Ndaj është shtuar zullumi, me parrullën “kap ca t’kapim”. Ne do të rikthejmë ligjin dhe forcën e ndëshkimit. Do të shtypim pa hezitim krimin e çdo përçapje të tij. Ne do të rikthejmë sigurinë publike në vend. Sepse ne kemi zgjedhur qytetarët, e jo trafikantët. Kemi zgjedhur qytetarët, jo banditët. Kemi zgjedhur qytetarët e jo rrëmbyesit, përdhunuesit e vrasësit. Grabitësit në rrugë e grabitësit në zyra, do të kenë të njëjtin fat. Do bashkohen aty ku ligji dhe drejtësia e pakapur u rezervon vendin”, ka shkruar Basha.

Exit mobile version