Lulzim Basha thotë se ndalimi i prodhimit të kanabisit në vend nuk është meritë e qeverisë dhe as e policisë, por ka një faktor tjetër.
Në daljen për gazetarët pas mbledhjes së grupit parlamentar, Basha përsëriti kërkesën e opozitës se zgjidhja e vetme është largimi i qeverisë.
“Nuk ka shqiptar dhe europian që nuk e di përgjegjësinë politike të Edi Ramës për shndërrimin e Shqipërisë në narko-shtet. Kjo do të mjaftonte për çdo Kryeministër që të japë dorëhejqen, por nuk mjafton për Edi Ramën, ndaj opozita do të ndërmarrë një aksion kombëtar për largimin e Edi Ramës”, thotë ai.
Kreu i PD-së tha se opozita ka një strategji për të arritur qëllimin e saj dhe se po e shpalos atë dita-ditës.
Basha përjashtoi mundësinë e nisjes së punës për reformën zgjedhore.
“Reforma zgjedhore do të fillojë atëherë kur vendi të ketë një qeveri antimafia”, u shpreh kryedemokrati./Telegrafi/