Site icon Telegrafi

Basha i mbyll derën Ramës: I vetmi pakt që i duhet Shqipërisë është shteti ligjor

Kreu i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama pas ftesës së këtij të fundit për një pak në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të vendit. Sipas Bashës i vetmi pakt për të cilin ka nevojë Shqipëria është shteti ligjor. Më poshtë reagimi i plotë i kreut të opozitës.

I vetmi “pakt” që ka nevojë Shqipëria është pakti për Kushtetutën dhe shtetin ligjor. Kushtet që BE ka vendosur për Shqipërinë janë të qarta: zbatimi i reformës në drejtësi dhe vetingu; lufta kundër drogës dhe krimit; lufta kundër korrupsionit; reforma e administratës publike; respektimi i të drejtave themelore të njeriut.

Në mbështesim pa asnjë kusht përpjekjen për përmbushjen e secilit prej këtyre kritereve.

1. Në mbështesim pa asnjë rezervë zhbllokimin e menjëhershëm të reformës në drejtësi dhe krijimin e KLP-së për t’i hapur rrugën krijimit të SPAK-ut dhe të byrosë së hetimit dhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm në mënyrë kushtetuese, pasi të ketë kaluar vetingun dhe me tre të pestat e Kuvendit.

2. Ne mbështesim heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit dhe hetimin e tij si çdo qytetar i thjeshtë për lidhjet me trafikun e drogës. Mbështesim pa kushte hetimin e të gjithë zyrtarëve të lidhur me krimin nga Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini tek shefat e policisë. Mbështesim arrestimin dhe hetimin e grupeve kriminale nga Habilajt tek Balilajt.

3. Ne mbështesim pa asnjë rezervë hetimin dhe luftën kundër korrupsionit, përfshi koncesionet në shëndetësi, në inceneratorë, në PPP, e kudo.

4. Ne mbështesim pa asnjë rezervë të drejtat e qytetarëve, liritë dhe pronën e tyre kundër ndërhyrjeve arbitrare.

Ne do japim kontributin tonë në Kuvend dhe në institucione për këtë gjë. Por detyra jonë është të bëjmë opozitë, çfarë është rol themelor dhe i domosdoshëm për funksionimin e demokracisë, kufizimin e pushtetit dhe mirëqeverisjen e vendit.

Shqipëria nuk duhet të ketë demokraci fasadë dhe nuk duhet të ketë partitë dhe tavolinat partiake mbi Kushtetutën dhe mbi institucionet. /Lapsi.al/Telegrafi/

Exit mobile version