Sot do të mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, i thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha.
Basha do të mbledhë sot në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve delegatët e PD-së, ndërsa pritet që ata të votojnë ndryshime statutore! Kuvendi i sotëm ka si moto se PD zgjedh të ardhmen dhe Shqipërinë.
Partia Demokratike shkarkoi nga funksionet në Këshill Kombëtar dhe në kryesi ata titullarë të saj, që morën pjesë në veprimtaritë e ish kryetarit Sali Berisha, duke i cilësuar si akte në kundërshtim me statutin dhe me vet programin e partisë.
Ndërkohë, ditën e djeshme, Basha ka emëruar 12 kryetarët rinj të degëve në PD si dhe u ngrit edhe Komisioni i Përhershëm Statutor. Anëtarë të Komisionit Statutor janë Enklejd Alibeaj, Ervin Salianji, Kreshnik Çollaku, Jonila Godole, Taulant Zeneli si dhe Jorida Tabaku.
Partia Demokratike u shpërndau dje anëtarëve të Kuvendit Kombëtar një njoftim, se ata mblidhen me përgjegjësinë historike për të qenë të bashkuar kundër regjimit të Edi Ramës.
Kuvendi i Partisë Demokratike mbahet një javë pasi ish kryetari Sali Berisha me ndjekësit mbajtën një tjetër Kuvend, ku deklaruan se kanë shkarkuar kryetarin aktual Lulzim Basha dhe zëvendësit e tij.
Kjo e shtunë pritet të jetë vendimtare për dy kampet kundërshtare brenda Partisë Demokratike. Kujtojmë se sot në të gjitha degët e PD në rrethe do të mbahet referendumi për shkarkimin e Bashës, vendim i dalë nga Kuvendi i Berishës. Megjithatë Basha ka deklaruar se nuk njeh asnjë vendim të dalë nga ky Kuvend.
Të dyja palët nuk njohin statutet e njëra-tjetrës, ndërsa ditët në vijim pritet të jenë mjaft vendimtare për fatin e partisë më të madhe opozitare në vend.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u rizgjodh me shumicë dërrmuese votash nga Kuvendi Kombëtar, pak kohë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit, edhe pse opozita humbi për herë të tretë.
Tashmë PD është partia e vetme në vend me dy statute, njëri i dorëzuar nga Basha në Gjykatën e Tiranës disa ditë më parë dhe tjetri i dorëzuar nga Grupi i Rithemelimit të PD-së.
Beteja politike mes Berishës dhe Bashës ndodhi kur ky i fundit përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-së ish kreun e PD-së, pasi ai u shpall ‘non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit. /TCh/