Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në një dalje për mediat pasditen e së hënës ka komentuar shkarkimin nga detyra të ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani.
Në deklaratën e tij, Basha ka theksuar se, kryeministri duhet të kishte dhënë shpjegime se cili është motivimi për shkarkimin e ministrit, edhe pse sipas tij shqiptarët e dinë fare mirë.
“Shqiptarët e dinë, Manjani u shkarkuar sepse foli hapur për krimin që ka marrë peng qeverinë, për drogën, për Balilin, për urdhërimin me telefon të gjyqtarëve nga Rama, për korrupsionin me tenderat. Manjani theu kodin e heshtjes, theu omerta-n”, ka thënë Basha.
Ai është shprehur se, deklarata e Manjanit është një tjetër konfirmim i të vërtetave që sipas tij PD ka denoncuar prej vitesh.
“Por qeveria nuk i mbulon dot më. Aferat e saj i denoncoi edhe kumbari i 1 prillit, Lefter Koka”, ka thënë Basha. Ai ka shtuar se lëvizjet e fundit në qeveri tregojnë se përmes lidhjeve me krimin, kryeministri ka përforcuar pushtetin e tij, duke gjunjëzuar edhe aleatët.
“Sot Rama nuk ka nevojë për asnjë aleat politik, as për Ilir Metën. Rama ka ngritur dhe fuqizuar një aleancë interesash private dhe kriminale dhe pushtetin e tij e mban në këmbë me anë të krimit dhe drogës. Shkarkimi i Manjanit dhe nënshtrimi i Metës është tregues i kësaj aleance. Me shkarkimin e Manjanit u kuptua se Rama është peng i krimit dhe Meta peng i Ramës. Zgjidhja është largimi i tij”, ka shtuar Basha.