Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në Aktivin e Degës Nr.5, në kuadër të turit kombetar për dëgjimin dhe bashkëbisedim me strukturat e Partisë Demokratike. Basha thekoi se Edi Rama e ka zhytur vendin në papunësi, varfëri dhe mjerim.
Sipas Bashës, Edi Rama mbron sot vetëm interesin e mafies dhe krimit dhe për këtë, kreu i demokratëve solli shembullin e ligjit të mbetjeve. “Tre vjet më parë, Edi Rama erdhi në pushtet me premtimin se nuk do të importohen mbetje, ndërsa sot jo vetëm e ka miratuar ligjin, por po bën gjithçka që qytetarët të mos ushtrojnë të drejtën e tyre të referendumit. Partia Demokratike do të mbështesë qytetarët në këtë përballje, jo si kalkulim politik, por për t’i dhënë zë zërit qytetar, një praktikë që do ta instalojë në vendimmarrje të rëndësishme në qeverisjen e saj nesër”, tha Basha.
“Cili është problemi kryesor me pushtetin sot? Është papërgjegjshmëria totale. Pse tre vite më parë e ndaloi importin e mbetjeve dhe sot e lejon? Pse? Mbrapa kësaj qëndron mafia e plehrave. Nuk ka asnjë arsye tjetër që një njeri të shkelë kaq hapur fjalën që iu dha vetë qytetarëve, që kishin mbledhur firmat bashkë me të për të rrëzuar ligjin dhe sot jo vetëm iu riktheu ligjin por iu mohon edhe të drejtën për t’u shprehur me votë. Dhe do ta mohojë këtë të drejtë deri sa të kuptojë që përballet më një mur të vendosur të refuzimit dhe të protestës qytetare që fillon të shtunën me 1 tetor, dhe për këtë tmerri e ankthi e kapi siç e patë që në Parlament”.
“Kjo është një nga ato çështje që nuk ka kalkulim politik, po ku demokratët duke nisur me grupin parlamentar që depozitoi (dje) kërkesën për referendum, e çdo anëtar e simpatizant i Partisë Demokratike nuk kanë dhe nuk mund të kenë dilemë, të jemi aty me protestuesit për t’i dhënë zë zërit qytetar dhe për ta bërë protestën një fitore të përballjes qytetare më një oligarki të pashpirt dhe të korruptuar deri në palcë”, u shpreh Basha. /Telegrafi/