Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha priti këtë të mërkurë në një takim drejtorin e Zgjerimit në Komisionin Europian, Christian Danielson, me të cilin ndau vlerësimin për marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave Shqipëri-BE, si dhe shprehu shqetësimin për sfidat e mëdha që po has Shqipëria, mbi të gjitha ato që kanë të bëjnë me krimin, korrupsionin e drogën, me zgjedhjet e lira dhe me dekriminalizimin.
Sipas një njoftimi të PD, Basha tha gjatë takimit se PD ka dhënë dhe jep mbështetje totale për integrimin europian të Shqipërisë dhe është e vendosur të vazhdojë kontributin e saj maksimal për të ardhmen europiane të saj.
“Nga ana e tij, drejtori i Zgjerimit vlerësoi rolin dhe kontributin e jashtzakonshëm të Partisë Demokratike për integrimin europian gjatë qeverisjes së saj, si dhe ne opozitë, në veçanti për reformën në drejtësi”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Ndër shqetësimet e tjera të shprehur nga kreu i opozitës ishte edhe mungesa e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, një mungesë sipas tij e vullnetit për t’u ndarë me krimin dhe për të respektuar sundimin e ligjit.
“Kthimi i drogës në aktivitetin më të madh prodhues në vend, investimi i krimit të organizuar për të ndërtuar një infrastrukturë të tërë të prodhimit dhe trafikimit të drogës dhe mosveprimi i shtetit ndaj trafikantëve janë indikacione të qarta të rolit nxitës dhe mbrojtës për këtë aktivitet nga segmentet më të larta shtetërore”, theksoi kreu i opozitës.
Sfida më e madhe sot, vijoi ai, është garantimi i zgjedhjeve të lira në kushtet kur procesi zgjedhor kërcënohet nga droga me mbeshtetje qeveritare.
Basha dhe Danielson ndanë vlerësimin se vëmendja maksimale për çështjet e mprehta që po vuan vendi është e nje rëndësie kolosale në përballimin e këtyre sfidave./Tch/