Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka ironizuar të martën me Kongresin elektoral të PS-së në Durrës, duke e cilësuar atë si ceremoninë e çmimeve Oscar.
“Kupola politike e republikës së vjetër ka shpallur ceremoninë e çmimeve Oscar. Po jepen live në Durrësin e Vangjush Dakos ku luhet tash e 4 vite teatri i shëmtuar kriminal, i betonizimit, korrupsionit si kudo anembanë vendit. Republika e vjetër në grahmat e fundit po ju dhuron këtë shfaqje të shëmtuar të hipokrizisë të shqiptarëve”, ka thënë Basha.
Sipas tij Kongresi elektoral i PS-së në Durrës më 9 maj mbahet për të kujtuar “kontrastin e thellë, që qëndron mes atyre që erdhën në pushtet me emrin aleanca për Shqipërinë evropiane dhe u faktuan për 4 vite si aleanca e drogës dhe krimit”.
“Tani janë në ceremoninë OSCAR, japin dekorata dhe statuja njëri tjetrit. Nuk e di kush e mori Oscarin për luftën kundër krimit të organizuar Saimir Tahiri që e mbushi Shqipërinë me drogë dhe Policinë me kriminelë? Apo e mori Fatmir Xhafa, njeriu i faktuar si torturtues për llogari të Sigurimit të Shtetit. Po çmimin për rritjen e fuqizimin e vendeve të punës, Arben Ahmetajt?”, është shprehur Basha. /Telegrafi/