Pas takimit kokë më kokë të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me atë të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, në një tryezë ku pjesëmarrës ishte edhe ish-presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Riccardo Migliori, dy përfaqësuesit e opozitës dolën në një konferencë për shtyp.
Basha theksoi ndër të tjera se “së bashku me të gjithë aleatët do të vazhdojmë betejën kundër bashkëqeverisjes me krimin”. Kreu i demokratëve theksoi gjithashtu se fronti i bashkuar opozitar duhet të jetë platforma që përfaqëson partitë e opozitës.
“Bashkëpunimi ynë me PDIU-në nuk drejtohet kundër interesave të minoritetit grek, por është një vlerë e shtuar”, tha më tej Basha, i cili theksoi se opozita sot është më e bashkuar, më e fortë dhe më e zgjeruar se kurrë më parë.
Nga ana tjetër, Shpëtim Idrizi u shpreh se “PDIU-ja është nga sot pjesë e opozitës së bashkuar, me synimin për të pasur një opozitë sa më të fortë që të ofrojë alternativën e saj kundër qeverisjes aktuale”.
“Nga sot jemi pjesë e opozitës shqiptare pasi duhet të ndahemi nga ky tranzicion i zgjatur”, tha Idrizi. Megjithatë, mbetet për t’u parë tashmë vendimi i kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, nëse do të vijojë qëndrimin dhe bashkëpunimin me opozitën, apo do të dalë prej saj për të kaluar sërish me shumicën parlamentare. /TCH/