Në një intervistë për Zërin e Amerikës kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se opozita është e gatshme të sakrifikojë pushimet e verës për të mbyllur brenda muajit gusht votimin e ligjeve të nevojshme për të vënë në jetë reformën në drejtësi.
Por ai shtoi se ligji nuk miratohet nesër sepse e ndalon Kushtetuta e Shqipërisë.
“Shoh përpjekje për të rikthyer tensionin nga ata që tentuan të largonin opozitën nga reforma.Është absurditet pasi shkel Kushtetutën, por PD ka shprehur gatishmërinë për të shqyrtuar draftin për Veting-un”, theksoi ai.
Basha tha se projektligji për vettingun i është vënë në dorë opozitës vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme dhe jo më 4 korrik sic ishte thënë. Lideri demokrat tha se ekspertët e PD që po shqyrtojnë pr.ligjin do të kenë gati propozimet e tyre deri ditën e nesërme
“Projektligji na është vënë në dorë mbrëmë natën dhe menjëherë do bëhen të qarta qëndrimet, vërejtjet dhe propozimet e PD. Ekspertët tanë do të mbarojnë së shqyrtuari brenda ditës së sotme apo të nesërme. Opozita është e gatshme të sakrifikojë pushimet për të përfunduar procesin e reformës në drejtësi duke miratuar ligjet me konsensus. E rëndësishme është që mazhoranca të punojë me vullnet dhe transparencë. PD do të marrë përgjegjësitë e saj”, tha Basha nga Filadelfia ku ndodhej për të marrë pjesë në ceremoninë e zyrtarizimit të kandidaturës së Hillary Clinton si kandidate për presidente të SHBA-ve.
Basha tha se mazhoranca do të dështojë nëse tenton të kërkojë kapje të sistemit të drejtësisë gjatë procesit të hartimit të ligjeve të vettingu, ashtu siç dështoi –tha ai – edhe në draftin e ndryshimeve kushtetuese që u miratua me konsensus të plotë në seancën e kuvendit më 22 korrik. Ai i bën thirrje mazhorancës të mos punojë me hile, por me transparencë.
“Ata që dështuan në këtë projekt kushtetues, do të dështojnë nëse përpiqen të bëjnë edhe këtë gjë me ligjet. Konsensusi ka pasur kundërshtarë të plotë për të përjashtuar opozitën. Ne insistuam për një draft kushtetues që pengon kapjen e drejtësisë nga kryeministri dhe i jep shqiptarëve shansin për një drejtësi që nuk mbron krimin dhe korrupsionin. Zbatimi është ai që do të tregojë nëse do të funksionojë”, përfundoi kreu demokrat.