Site icon Telegrafi

Basha: Ekonomia e fortë, e bën një shtet të fortë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me banorë të Njësisë 9 në Tiranë, ku theksoi se Republika e Re vjen për shqiptarët për të krijuar shtet me një ekonomi të fortë.

“Pika e parë e këtij plani është ulja e taksave, ulja e TVSH-së nga 20 në 15%, do të kthejë në xhepat tuaja dhe në konsumin e ekonomisë shqiptare, 400 milionë euro në vit. Taksa e sheshtë 9% do të çlirojë miliarda euro të tjera. Plani im fiskal, ulja e taksave, ulja e TVSH-së, do të bëjë që paraja të vërshojë në tregjet tona, të rrisë ekonominë, të krijojë vende pune, të rrisë rrogat. 10 mijë stazhe nga Republika e Re për më të mirët që mbarojnë shkollën e lartë. E dini se sa kushton ky program që unë do të vë në lëvizje që në muajin e parë si Kryeministër, për 10 mijë të rinj me 200 mijë lekë të vjetër në muaj, stazh për 12 muaj me radhë? A e dini se sa do i kushtojë Republikës së Re? 25 milionë euro në vit”, tha Basha.

Në Farkë, ku shpalosi programin e Republikës së Re, Basha tha se prioriteti numër një është ekonomia e familjeve shqiptare, punësimi i të rinjve, mirëqenia e fshatit.

“Ekipi im fitues ka një plan ekonomik me vulat e ekspertëve më të mirë të Europës, këshilltarëve ekonomikë të Anxhela Merkel, që erdhën këtu dhe e certifikuan publikisht para kamerave si një program realist, ambicioz dhe të zbatueshëm”, deklaroi Basha.

Kreu i PD-së tha se të gjitha familjet në nevojë do të kenë ndihmë ekonomike. Fatura deri 300 klv dhe fatura e ujit për konsum familjar do e marrë përsipër buxheti i Republikës së Re, tha Basha. /Telegrafi/

Exit mobile version