Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bashkëbisedoi me drejtues të strukturave të PD-së në Kamëz dhe Paskuqan. Detyrë kryesore sot, tha ai, jo vetëm për demokratët por për çdo shqiptar sot është largimi i oligarkisë dhe sjellja e qytetarit në pushtet.
Basha vlerësoi se, është shumë e rëndësishme që çdo qytetar të kuptojë se vota e tij e lirë dhe e ndershme është forca për të ndëshkuar të keqen dhe vendosur për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
“Për pushtet këta janë gati të bëjnë çdo gjë, ta varfërojnë popullin që të qeverisin më kollaj, t’i fusin edhe drogën mbi shpinë edhe krimin mbi shpinë. Detyra jonë është që ai i varfëri, ai i dezoluari, i pashpresi, i zhveshuri nga çdo e ardhur, nga çdo shpresë ta kuptojë se me ne vota e tij, vota e saj ka forcë dhe se kjo forcë nuk është thjesht dhe vetëm që të bëjë Lulzim Bashën kryeministër, por që atij dhe asaj t’i kthejë të drejtat që ka sipas Kushtetutës në këtë vend; të drejtën për ndihmë ekonomike kur s’ka mundësi; të drejtën për rimbursim të ilaçeve kur kjo i takon”, deklaroi Basha.
Duke premtuar se do të jetë garant i këtyre të drejtave, Basha theksoi se do ta shporrë këtë oligarki të lidhur me krimin dhe do të sjellë qytetarin në pushtet.
“Si do ta sjellim qytetarin në pushtet?! Duke kufizuar pushtetin, duke fuqizuar zgjedhësin. Ne duhet të mësohemi me votën si instrument në vendimmarrje. Vota e lirë është garancia për të nesërmen”, vijoi Basha.
Ai shprehu bindjen se, bashkimi dhe aleanca me këdo që është kundër krimit, drogës dhe pro zgjedhjeve të lira e të ndershme do të jetë e pathyeshme. “Forcës që sjell bashkimi, hapja dhe aleanca e vlerave nuk ka pushtet i korruptuar dhe i inkriminuar që i reziston”, tha Basha.
“Në qoftë se Edi Rama ka paudhësinë të bashkojë kriminelët më në zë rreth tavolinës së tij, atëherë si mund të kemi ne skrupuj të bashkojmë në një aleancë sa më të madhe këdo që refuzon krimin, këdo që refuzon inkriminim, këdo që refuzon drogën, këdo që refuzon shit-blerjen e votës dhe asgjësimin e procesit politik, asgjësimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, shtoi kryetari i PD. /Telegrafi/