Lideri demokrat, Lulzim Basha akuzoi sonte Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, se po tentojnë tjetërsimin e dëshmisë së Albert Veliut, për vëllain e ministrit, Agron Xhafaj.
Në një dalje për mediat në orët e mbrëmjes së sotme, kryedemoktrati tha se dyshja Rama-Xhafaj kanë hedhur në “aksion”, strukturat e tyre për të kërcënuar Albert Veliun.
“Kanë hedhur në veprim strukturat e tyre për të kërcënuar shtetasin Albert Veliu (bashkëpunëtori X) dhe familjarët e tij. Sot, të dërguarit e Fatmir dhe Agron Xhafajt, njerëz të skeduar për vrasje të tipit mafioz nga zona e Vlorës dhe Fushë Krujës, i kanë afruar një të afërmi të (bashkëpunëtorit X) Albert Veliu 200 mijë euro nga paratë e pista që familja mafioze Xhafaj përfiton nga trafiku i drogës dhe veprimtari të tjera kriminale, që ai të përgenjështrojë deklaratat e bëra publike”, tha Basha.
Por kryetari i Partisë Demokratike shtoi se kjo përpjekje e zhyt akoma edhe më shumë Xhafën dhe Ramën, në skandalin ku janë përfshirë.
Ai ftoi qytetarët, pa dallim, që të dalin në protestë ditën e shtunë, në 26 maj. /noa.al/