Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, reagoi pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama në Gruemirë të Shkodrës, ku premtoi se programin për bujqësinë do ta përmbushë brenda këtij mandati qeverisës.
“Dërdëllitje një orë pa pushim me regji qendrore për mrekullitë e mëdha që po ndodhin në bujqësi, ndërkohë që ka hequr çdo subvencion, nuk ka ngritur një treg të vetëm, nuk ka stimuluar një bujk a blegtor në gjithë vendin. Llomotit Rama në kohën kur fshatin e ka pllakosur një varfëri skëterrë. Burimet ujore janë në shërbim të kartelit të drogës, pllajat, kodrat, arat, kullotat e pyjet janë zaptuar nga trafikantët. Veçse u ka kthyer kurrizin, fshatarët duhet të ruhen çdo ditë të mos prekin në zotërimet e kartelit të Edi Ramës, sepse rrezikojnë dhe jetën”, shkroi Basha në Facebook.
”Bujqësia ka nevojë për 100 milionë dollarë në vit subvencione që të ngrihet e të zhvillohet. Paratë janë, por Edi Rama i ndan me hajdutët e tij për makina luksi, zyra, fasada, e ekspozita jashtë shtetit. Për të marrë këto para, këtë ndihmë jetike, fshati duhet të ngrihet e të largojë hajdutët. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, shtoi Basha. /Telegrafi/