Site icon Telegrafi

Basha: Bandat po diktojnë vendimet politike

Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha duke i komentuar ngjarjet e fundit kriminale në vend, ka deklaruar se, banditët sot po diktojnë vendimet politike për të grabitur pasuritë e shqiptarëve.

Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar, Basha tha se, “PD do të vazhdojë të inkurajojë hetimin e çështjes së Emiljano Shullazit”.

“Do të mbështesim prokurorët me integritet që kanë shënuar një pikë kthese me arrestimin e Shullazit, por do të ndjekim edhe çdo hap hedh qeveria e Edi Ramës”, ka thënë ai.

Lideri i Opozitës në Shqipëri Lulzim Basha, e ka akuzuar shefin e ekzekutivit se, ka dënuar pa asnjë bazë ligjore ish-kryeministrin Berisha, ndërsa nga ana tjetër i ka dalë në mbrojtje Shullazit.

“Ky kryeministër, me zë të dridhur u mundua të bëjë avokatin e Shullazit dhe bandës së tij. Frytet e para të kësaj avokatie janë frikësimi i disa dëshmitarëve”, theksoi ai.
Basha ka paralajmëruar se, “PD do bëjë gjithçka, në rrugë institucionale, që kjo pikë kthese e shënuar nga prokurorët të shndërrohet në aktin e parë të reformës në drejtësi”. “Të nxjerrë hapur përse në dy vjet e gjysmë Rama e vonoi këtë reformë dhe pse po e zvarrit. Rama është vënë përpara çdo qytetari të ndershëm, demokrat dhe socialist, dhe përpara partnerëve tanë, shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar Lulzim Basha. /Telegrafi/

Exit mobile version