Telegrafi

Basha akuzon Ramën: Ti dëmton Shqipërinë dhe Kosovën me mashtrimet e tua

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i përgjigjet përmes një videomesazhi akuzave të kryeministrit Rama, se ka qenë një nga personat që kanë marrë në pyetje komandantët e UÇK-së dhe ka qenë i përfshirë në raportin e Dick Marty-t, ku thuhej se në “Shtëpinë e Verdhë” UÇK bënte transplant organesh.

Basha thotë se akuzat e Ramës janë të gjitha mashtrime për të hequr vëmendjen nga skandalet e tij në qeveri. Ai e fton të zbatojë planin e tij në shëndetësi dhe i thotë se do ta mundë në zgjedhje.

Basha i thotë Ramës të mos merret me vizatime.

‘Ndërsa merresh me vizatime dhe nuk shkulesh nga Instagrami, unë e kam vënë tërë jetën time në shërbim të vendit. Për Shqipërinë. Për shqiptarët. Për pavarësinë e Kosovës. Ti nuk më bën dot moral mua për patriotizëm. Ti nuk më mëson dot mua çfarë është besnikëria ndaj Shqipërisë”, tha Basha.

“Tani do të investoj çdo minutë të kohës time që pas 8 vitesh dështimesh të tua, të të mposht në zgjedhje dhe bashkë me shqiptarët të punoj për të shëruar vendin tonë. Për t’i dhënë një shpresë të re njerëzve. Për t’i korrigjuar të gjitha dështimet e tua”,  u shpreh kreu i demokratëve.

Basha i konsideroi mashtrime deklaratat e Ramës, por u shpreh optimiste se qeveria e tij do të bjerë shumë shpejt dhe propoganda qeveritare do të marrë fund.

“Ne do të të mposhtim ty dhe do t’u japim fund gënjeshtrave dhe premtimeve të tua të rreme. Do të ecim të sigurtë drejt Europës për të garantuar njëherë e mirë të ardhmen tonë. Ti mund të vazhdosh me gënjeshtrat e tua, por ato nuk do ta ndalin fitoren tonë!”, theksoi Basha.

Reagimi vjen pas debatit për çështjen e rolit të Lulzim Bashës në UNMIK pas luftës së Kosovës, teksa ai është bërë temë diskutimi në vendin tonë dhe në atë fqinj.

Debatit i është shtuar edhe avokati i UÇK-së Tom Gashi, i cili për mediat shqiptare, tha sot se Basha ka qenë zyrtar ligjor dhe se detyra e tij ka qenë dorëzimi i dosjeve penale nga institucione ndërkombëtare të UNMIK tek vendorët.