Telegrafi

Bartja e dyshimtë e licencës së Dardafonit

Gazeta Express ka arritur të sigurojë komplet dokumentacionin prej Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), prej ditës kur Ismet Bojku si përfaqësues i Dardafone LLC i ka bërë kërkesë ART-së që licenca t’i kalojë Dardafone.net LLC.

Këtë kërkesë të bërë me shkrim, anëtari i Bordit të ART-së, Lulzim Kurtaj, u ka rekomanduar anëtarëve të tjerë të kësaj agjencie që ta aprovojnë dhe të gjitha të drejtat që i kishte kompania e parë t’i bartën kompanisë së dytë.

Brenda komisionit që e ka shqyrtuar kërkesën ka pasur zëra kundër.

Hetuesit e EULEX-it, prej kur kanë filluar zhvillimin e hetimeve, vazhdimisht janë marrë me mënyrën se si është bartur licenca prej njërës kompani te tjetra. Madje, ata e kanë akuzuar menaxhmentin dhe Bordin e PTK-së si fajtore në falsifikim të dokumentacionit.

Por, e vërteta është krejt ndryshe. Askush nuk ka falsifikuar asnjë dokument, sepse të gjitha ato dokumente se si është bartur licenca, i ka siguruar Expressi. Ekziston vetëm një dilemë – nëse e barti ART-ja licencën prej njërës kompani te tjetra në mënyrë kundërligjore. Në fakt kjo kishte qenë edhe arsyeja e fillimit të hetimeve.

Aksionarët e kompanisë së parë, Dardafone LLC ishin ankuar se në mënyrë të padrejtë i ishte marrë licenca. Mirëpo, këtë uzurpim të së drejtës së tyre nuk e kishte bërë PTK-ja, por ATK-ja. /Telegrafi/