Telegrafi

Barroso: BE do të mbrojë euron

Fondi i emergjencës në vlerë deri 1,000 miliardë euro në formë të huave apo garancive u dakordua mbrëmë nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar pas bisedimeve të gjata në Bruksel. Fondi synon mbrojtjen e vendeve të kërcënuara nga vështirësitë financiare, të ngjashme me ato në Greqi.

Kryetari i Komisionit Evropian, Joze Manuel Barroso tha se marrëveshja do të sigurojë që të dështojë çdo përpjekje për të dobësuar euron.

“Marrëveshja e mëngjesit të sotëm do të sigurojë dështimin e çdo përpjekje për ta dobësuar euron. Ajo e tregon vendosmërinë e gjithë Bashkimit Evropian që t’u qëndrojë pranë vendeve anëtare kur ato janë të kërcënuara nga vështirësitë e rënda të shkaktuara nga rrethanat e jashtëzakonshme të dala nga kontrolli”, tha Barroso.

Bankat kryesore u janë bashkangjitur përpjekjeve të koordinuara. Rezervat Federale amerikane thanë se do të tregtojë dollarë për valuta tjera me disa banka qendrore që ato t’i kenë dollarët e nevojshëm.

Banka Qendrore Evropiane tha se do ta blejë borxhin e eurozonës. Sot euroja u rrit në mbi 1.29 $ nga 1.27 $ sa ishte të premten, ndërsa tregjet e bursave në Evropë shënuan rritje. /REL/