Nga: Eva Ladipo / The Guardian (Titulli origjinal: My family’s past, and Germany’s, weighs heavily upon me. And it’s why I feel so strongly about Gaza)
Përkthimi: Telegrafi.com
Zakonisht nuk flas për Walterin, për xhaxhain tim. Gjenerali Walter Warlimont, siç njihej zyrtarisht vëllai i gjyshit tim, ishte kreu i Departamentit të Mbrojtjes Kombëtare në komandën e lartë të Vermahtit – të forcave të armatosura të Gjermanisë naziste. Në zinxhirin komandues, vetëm dy persona ishin midis tij dhe Firerit. Walteri punoi aq ngushtë me Hitlerin saqë, në korrik të vitit 1944, u plagos në krah në atentatin e dështuar për vrasjen e tij. Urdhrat që nënshkroi gjatë kohës së luftës – kë do ta qëllonte për të vrarë, si do të trajtoheshin të burgosurit – nënkuptonin se kishte qindra-mijëra jetë në ndërgjegjen e vet.
Jo se xhaxhai Walter ishte i vetmi në familje i cili e ndihmoi Rajhun e Tretë dhe Holokaustin. Gjyshërit nga ana e babait ishin shumë krenarë se ishin ndër anëtarët më të hershëm të partisë së Hitlerit. Gjyshi im nga ana e nënës – vëllai i Walterit – ishte kreu i një fabrike në Vjenë ku prodhoheshin sistemet e drejtimit për raketën V2 – fabrikë që kishte staf nga punëtorët skllevër rusë dhe ukrainas.
Kurrë më parë nuk e kam ndier nevojën që të shkruaj për historinë time familjare. Por, jeta dhe krimet e Walterit tani ndihen si shumë të pakëndshme. Teksa shikoj se si ka lëvizur debati dhe diskutimi mbi luftën në Gazë, në Gjermani – në muajt pas sulmeve të tmerrshme të 7 tetorit – shqetësohem se teksa vazhdimisht thirremi në të kaluarën naziste, ne po i harrojmë disa mësime vendimtare nga historia.
Mbështetja për Izraelin është e shenjtë në Gjermani. Kjo për një arsye të mirë. Është krejtësisht e natyrshme që Gjermania të ndihet e rënduar nga faji – kur është fjala për popullin hebraik; si shumica e gjermanëve, besoj se solidariteti me shtetin hebraik, i cili u krijua pas Holokaustit, është detyrim i shenjtë. Por, ndryshe nga shumëkush në vendin tim, nuk besoj se vetëm mbështetja për Izraelin e përmbush përgjegjësinë që na rëndon nga tmerret e së kaluarës. Në vend të kësaj, kam frikë se për hir të dëshirës mbizotëruese për të qëndruar përkrah Izraelit – dëshirë që ka sjell Gjermaninë te një akuzë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për ndihmë ndaj gjenocidit – ne pa dashje po i përsërisim i gabimet që janë bërë më parë.
Po mësimi se jeta e të gjithë njerëzve ka vlerë të barabartë? Në kulmin e karrierës së xhaxhait Walter, Gjermania e ndau botën midis Übermenschen dhe Untermenschen – mes njerëzve superiorë dhe inferiorë. Rezultati i tmerrshëm i asaj ndarjeje duhej t’i shtynte gjermanët te njohja e kuptimit për rëndësinë e vlerësimit të të gjithë njerëzve si të barabartë – pavarësisht nga përkatësia racore, etnike apo fetare. E, megjithatë, teksa ndjek diskutimin e luftës në Lindjen e Mesme, dhe faktin me të cilin është pranuar numri i viktimave në Gazë, shpeshherë kam përshtypjen se ky mësim po harrohet.
Analiza nuk mund të ndihmojë më palestinezët të cilët kanë vdekur në Gazë. Por, mund të ndihmojë njerëzit të cilët jetojnë në vendin tim. Gjermania tashmë është komb multietnik, multifetar. Vlerësohet se në vendin tonë ka rreth 200 mijë njerëz me origjinë palestineze dhe miliona njerëz të tjerë të ardhur nga gjithë Lindja e Mesme. Kur shohin se si diskutohet lufta në Gazë, shumë prej tyre e perceptojnë botën në të cilën jeta e hebrenjve duket shumë më e rëndësishme sesa ajo e arabëve. Duket se lufta po lejon që pikëpamja e ndrydhur prej kohësh, për botën, po rishfaqet në Gjermaninë në të cilën ka kultura superiore “perëndimore”, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër inferiore – më pak të sofistikuara.
Debati është i mbytur jo vetëm për protestuesit palestinezë apo myslimanë, por për të gjithë. Mbizotëron klima mbrojtëse në të cilën konceptet e thjeshtuara të së mirës dhe së keqes janë më të privilegjuara sesa analizat e nuancuara. Kritikët e fushatës ushtarake të Izraelit, në mënyrë të vazhdueshme etiketohen si antisemitë.
Kur Masha Gessen e shkroi një ese për New Yorker, për dogmën agresive të qëndrimit pro-izraelit të Gjermanisë, shumë nga mediat gjermane reaguan me zemërim. Eseja u reduktua në mënyrën që tërheq vëmendjen përmes krahasimit që shfaqet aty – midis Gazës dhe getove të epokës naziste – e të cilin kritikët gjermanë e përdorën për ta akuzuar autoren për minimizimin e Holokaustit. Regjisori izraelit Yuval Abraham, u përball me zemërim të ngjashëm pasi e dënoi trajtimin palestinezëve nga Izraeli dhe pasi bëri thirrje për armëpushim – në një fjalim në Festivalin e Filmit në Berlin. Shumë zëra të tjerë kritikë, veçanërisht në arte dhe në akademi, janë të paftuar, të mohuar, dhe pothuajse brenda natës e shohin veten si persona non grata.
Përveçse jam mbesa e një prej gjeneralëve të Hitlerit, jam edhe gazetare në Londër. Raportimi për luftën, në Britani, më ka bërë më të lirë dhe më të matur në aspektin historik – sesa në Gjermani. Menjëherë pas masakrës së Hamasit, zëvendëskancelari gjerman, Robert Habeck, u lavdërua gjerësisht për paralajmërimin se “kontekstualizimi” i mizorive mund të çonte në “relativizimin” e tyre. Ngjarjet fatale që çuan në themelimin shpengues të Izraelit dhe në tragjedinë e Nakbasë palestineze, të cilat ndriçohen dhe diskutohen në botën anglofone, debatohen shumë më me ndrojtje në Gjermani, thuajse vështrimi më i saktë mund të minojë moralin dhe sigurinë për të qenë në “anën” e drejtë.
E, megjithatë, mendimi i tillë i thjesht duket se po e çon vendin tim në harresën e një mësimi tjetër të epokës naziste: rrezikun për t’u bërë pre e fanatikëve të djathtë. Nuk kam dyshim se qëllimet e mira – të nxitura nga pendesa – e ngulitën mbështetjen e pakushtëzuar gjermane për Izraelin. Por, në dëshirën tonë për ta pikturuar botën bardhezi – me rolin e viktimës të rezervuar për izraelitët, të cilët shihen si perëndimorë, dhe rolin e autorëve e krimit të caktuar për arabët të cilën shihen si të tjerët – e gjejmë veten në një linjë të çoroditur të autoritarëve: me qeverinë nacionaliste të djathtë të Benjamin Netanyahut, me nacionalistët e bardhë në ShBA dhe me partinë e ekstremit të djathtë AfD në Gjermani.
Mësimi i fundit – dhe ndoshta më i sakti – të cilin shumë gjermanë duket se po e ndrydhin, rrjedh nga përvoja jonë e jashtëzakonshme e pasluftës. Pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas mizorive shekullore, në Evropë u përmbys rrethi vicioz i hakmarrjes. Me të vërtetë ishte historike, nga e cila autorët nazistë përfituan më shumë se kushdo tjetër.
Shikojeni familjen time: për të gjitha krimet e veta, xhaxhai Walter nuk u përball me dënimin me vdekje. Në vend të kësaj, pas gjashtë vjetëve iu hoq dënimi i përjetshëm – i caktuar ndaj xhaxhait tim në gjyqet e Nurembergut – dhe ai u lirua në vitin 1954. Vdiq në vitet 1970 si burrë i pasur dhe i respektuar, në brigjet e një prej liqeneve më të bukura të Bavarisë. Vëllai i tij, gjyshi im Paul Warlimont, u dënua me vetëm dy vjet burg për keqtrajtimin e punëtorëve të fabrikës. Më vonë iu dha Urdhri i Meritës i Gjermanisë. Gjyshërve të mi nga ana e babait, nazistëve shumë të hershëm, gjithashtu iu ofrua jeta e pasur dhe e lirë e pasluftës. Mëshira e dhënë për të gjithë të parët e mi, ashiqare nuk ishte në shërbim të drejtësisë. Por, shërbeu për interesat e paqes.
Shkurtimisht, gjatë tetë dekadave të fundit, Evropa e pasluftës ka përparuar falë vullnetit të jashtëzakonshëm të armiqve të Gjermanisë për t’i falur krimet e saj dhe për të lejuar që dëshira për pajtim të mposht dëshirën për drejtësi. Kjo përvojë duhet të na obligojë. Duhet t’i bëjë gjermanët, çdo herë dhe përgjithmonë, kundërshtarë të hakmarrjes dhe të ndëshkimit, qoftë nga palestinezët apo nga izraelitët. Nuk duhet t’i ndezim flakët në Lindjen e Mesme, duke u përkushtuar ndaj një komuniteti të rrethuar, kundër një tjetri, e lëre më duke eksportuar armë për qeverinë e Netanyahut dhe duke e mbështetur atë në Kombet e Bashkuara. Në vend të kësaj, duhet të flasim me përulësi për mrekullitë që mund sjell heqja dorë nga hakmarrja. Ia kemi borxh historisë sonë. /Telegrafi/