Nga sot ka hyrë në fuqi lista zyrtare e çmimeve të barnave.
Ky vendim i Ministrisë së Shëndetësisë nënkupton se barnat e njëjtë do të kenë çmim të njëjtë në gjithë Kosovën.
Por jo në të gjitha barnatoret ka nisur zbatimin e tij.
Tv Dukagjini ka vizituar tri barnatore në lagje të ndryshme të Prishtinës dhe në secilën prej tyre ka blerë nga një tabletë e zakonshme të barit “Daleron” që përdoret kundër dhimbjeve të lehta, por në asnjërin prej tyre çmimi nuk ka qenë i njëjtë.
Televizioni ka provuar të kuptojë nga zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë nëse Inspektorati Farmaceutik ka dalë sot në terren për të monitoruar zbatimin e vendimit, por ata kanë qenë të paqasshëm të shtunën.
Gjithsesi MSH-ja në njoftimin e djeshëm pranoi se do të ketë sfida në zbatimin e vendimit, i cili po kundërshtohet nga farmacistët.
Kryetari i Odës së Farmacistëve, Kadri Bytyqi thotë se farmacitë mund të kenë humbje deri në njëzet milionë euro për shkak të stokut të barnave që e kanë në depotë e tyre e që e njëjta është importuar me çmime tjera nga ajo që tash duhet të shitet.
“Barnatoreve mund t’ju krijohet një humbje aq e madhe, sa që mund me rreziku edhe falimentimin e bizneseve tyre, e që me një përllogaritje tonën, nëpërmjet diskutimit me kolegët tanë, ka dalë se ky dëm mund të jetë rreth 20 milionë euro në të gjitha barnatoret në terr territorin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Bytyqi.
Po ashtu, Oda e Farmacistëve ka njoftuar se ata kanë paditur Ministrinë e Shëndetësisë në Gjykatën Komerciale për këtë vendim të marrë./Dukagjini/