Site icon Telegrafi

Në betejën e saj ndaj Kinës, SHBA-ja po e humbet Evropën

Nga Noah Barkin

Gjatë një pasditeje me diell në fillim të muaji prill, një dyzinë diplomatësh nga vende të ndryshme evropiane dhe aleatë të tjerë, u mblodhën nga homologët e tyre amerikanë rreth një tryeze të rumbullakët në Departamentin Amerikan të Shtetit në Uashington.

Pas një muaji, presidenti kinez, Xi Jinping, do të organizonte në Pekin një samit për të kremtuar projektin e tij të madh të infrastruktures “Një Brez, një Rrugë”. Dhe amerikanët donin t’i dërgonin Xi-së një mesazh. Në takimin e Uashingtonit, ata u kërkuan aleatëve të tyre që të nënshkruanin një deklaratë të përbashkët, që dënonte projektin kinez.

Por, shpejt u bë e qartë se as evropianët, dhe as një grup i vogël vendesh të tjera nga Azia dhe Amerika Latine, nuk ishin gati ta bënin këtë. “Askush nuk ishte i gatshëm të nënshkruante diçka të tillë”- më tha një diplomat evropian që dinte detaje nga ai takimi, që kërkoi të fiste në kushtet e anonimitetit.

“Ne mund të biem dakord, që Kina përbën një kërcënim strategjik, por nuk mund t’i vendosësh aleatët në pozita të tilla”. Për evropianët, takimi në Departamentin e Shtetit ishte një shenjë tjetër e asaj që ata e shohin si qasjen e gabuar të një loje me shumën zero nga ana e  Shtëpisë së Bardhë në përballjen me Kinën, dhe besimin e gabuar se mund të përdorë partnerët e saj, duke i kritikuar publikisht mbi disa çështje, teksa pret bashkëpunim për të tjerat.

Për amerikanët, ato bisedime ishin shenja më e fundit e ngurrimit të Evropës, për të marrë një qëndrim sfidues ndaj Kinës. “Evropa, është thuajse në një planet tjetër”- u shpreh në kushte anonimati një person i afërt me administratën Trump. Pas 2 viteve të tensioneve në rritje midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, mbi çështjet që variojnë nga tregtia dhe Irani, tek shpenzimet e mbrojtjes dhe gazsjellësat e gazit rus, Kina duhet të jetë çështja që bashkon të dyja palët, ose të paktën lehtëson disa nga tendosjet transatlantike.

Bashkimi Evropian – me Gjermaninë dhe Francën në krye – adoptoi një qëndrim shumë më të ashpër ndaj Kinës gjatë vitit të kaluar, duke miratuar rregulla të reja, që lejojnë një vëzhgim më të rreptë të investimeve kineze në vendet evropiane, dhe që parashikon ndryshimet në rregulloret e industrive, konkurrencës dhe politikat e prokurimeve ne vendet e BE-së, për të siguruar që Pekini të mos ketë asnjë avantazh të padrejtë, dhe pas shumë vitesh shmangie të përplasjeve me Pekinin, e shpalli Kinën një “rivale strategjike”.

Ky ndryshim, pasqyron qasjen më të ashpër të adoptuar nga Uashingtoni, nën presidentin Donald Trump, që gjatë muajit të kaluar rriti tarifat për mallrat kineze, dhe ka vënë në listën e zezë të eskporteve grupin e madh kinez të telekomunikacioneve Huaëei dhe një numër bashkëpunëtorësh të tij, çka mund të kufizojë rreptësisht qasjen e tyre në teknologjitë jetike amerikane.

Por, bisedat që pata me dhjetra zyrtarë në të dyja anët e Atlantikut, sugjerojnë se në vend se të afrohen më shumë, Evropa dhe SHBA mund të jenë në fazat e hershme të një divergjence të dëmshme që buron pikërisht nga sfida ndaj Kinës. Veprimet e fundit të Trumpit, që parathonë fillimin e një lufte tregtare të gjatë midis Uashingtonit dhe Pekinit, kanë të ngjarë të thellojnë ndarjen, duke e çuar SHBA-në në një rrugë që është e pakëndshme, edhe për evropianët e vijës së ashpër.

Qëndrimet ndryshe, risin perspektivën e një ndarjeje të Perëndimit mbi atë që mund të jetë sfida më e madhe gjeopolitike e shekullit XXI, përballja me rritjen e një Kine autoritare. Në Bruksel, zyrtarët e lartë po e krahasojnë politikën ndaj Kinës nga ana e administratës Trump, me Brexit. Që të dyja thonë ata, bazohen në nocionin iluziv, se një fuqi e madhe në rënie, mund të ndryshojë rrjedhën e historisë, dhe të rikthehet në të kaluarën e saj të lavdishme.

Ironia është, se zyrtarët e lartë të administratës amerikane e pranojnë privatisht, se suksesi amerikan në betejën ndaj Kinës, mund të varet përfundimisht nga ajo që ndodh në Evropë. Megjithatë, shumë zyrtarë amerikanë, të paktën në radhët më të larta të administratës Trump, nuk kanë durim kur është fjala të punojnë me aleatët evropianë.

Ata nuk janë as shumë mirënjohës, për hapat që Evropa ka ndërmarrë gjatë vitit të kaluar kundër Kinës. “Amerikanët, janë në gjendje të përballojnë sfidën që ka lëshuar Kina. Ata, kanë një qëndrim shumë më luftarak se ne. Por, ne besojmë se do të humbasin shumë energji në këtë luftë, dhe nuk do të jenë të suksesshëm”- më tha në kushte anonimiteti një zyrtar i lartë iBE-së.

Kjo nuk do të thotë, se kanalet transatlantike të komunikimit në lidhje me Kinën, janë shkatërruar plotësisht. Një grup pragmatistësh hebraikë, përfshirë Met Potinger, diplomati përgjegjës për politikën mbi Azinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, dhe Randal Shriver, një zyrtar i lartë i Pentagonit, po përpiqen prej muajsh të negociojnë me Evropën.

Vitin e kaluar, diskutimet u përqëndruan tek masat mbrojtëse kundër blerjeve kineze. Ndërkohë, në një periudhë afatshkurtër, Evropa ka përfituar nga përballja e Trump me Pekinin, duke marrë koncesione të shumta nga një qeveri kineze, të dëshpëruar për të parandaluar një front transatlantik. Kur Xi mbajti samitin e tij të nismës së “Brezit dhe Rrugës”, aty morën pjesë gjysma e dhjetra krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, ndërsa amerikanët qëndruan në shtëpi. Kompanitë europiane vazhdojnë të investojnë shumë në Kinë, duke përfshirë teknologjitë e reja të ndjeshme, si inteligjenca artificiale.

Pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë, vendet evropiane duhet të përgatiten për një botë në të cilën ata do të shihen nga Uashingtoni përmes qasjes ndaj Kinës, ashtu si Evropa shihej përmes një “lenteje” sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë. Nëse nuk është e mundur një axhendë e përbashkët, marrëdhënia transatlantike mund të ketë edhe me shumë probleme, me apo pa Trumpin.

“The Atlantic” – Bota.al

Exit mobile version