Site icon Telegrafi

Bardhyl Mahmuti reagon ndaj paralajmërimeve të Dick Marty për ‘dëshmi’ të reja: Eja ballafaqohu me të vërtetën

Ish-përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) publicisti Bardhyl Mahmuti, ka reaguar ndaj deklarimeve të fundit të Dick Marty, duke thënë se ai është shëndosh e mirë sa herë duhet të shpifë kundër shqiptarëve, ndërsa kur duhet të ballafaqohet me të vërtetën ai paraqitet “i sëmurë”.

Mahmuti, përmes ka shkruar në Facebook se “në kohën kur Kuvendi i Kosovës është në prag të miratimit të një rezolute për gjenocidin serb në Kosovë, kur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka aktualizuar domosdoshmërinë e ndëshkimit të atyre që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovës dhe dëshmive të Vasfije Krasniqit para Kongresit Amerikan për dhunën seksuale dhe tmerrin e përjetuar gjatë luftës, propaganda serbe është lëshuar në një fushatë të egër me qëllim që të zhvendosë vëmendjen e opinionit publik në sajesat e saja. Dick Martyt është shëndosh e mirë sa herë duhet të shpifë kundër shqiptarëve, ndërsa kur duhet të ballafaqohet me të vërtetën ai paraqitet ‘i sëmurë'”!

Postimi i plotë i Mahmutit:

“Në kohën kur Kuvendi i Kosovës është në prag të miratimit të një rezolute për gjenocidin serb në Kosovë, kur Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka aktualizuar domosdoshmërinë e ndëshkimit të atyre që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovës dhe dëshmive të Vasfije Krasniqit para Kongresit Amerikan për dhunën seksuale dhe tmerrin e përjetuar gjatë luftës, propaganda serbe është lëshuar në një fushatë të egër me qëllim që të zhvendosë vëmendjen e opinionit publik në sajesat e saja.

Në funksion të kësaj strategjie propaganda serbe përsëritë shpifjet për gjoja “trafikimin e organeve njerëzore nga ana e UÇK-së” dhe fton në “ndihmë” edhe ata “që kanë marrë shpërblime dhe mirënjohje në Zvicër dhe në botë”. Siç njoftojnë mediat Dick Marty paska paralajmëron “dëshmi” të reja për krimet e luftës në Kosovë.

Opinionit publik shqiptar i kujtohet fakti që në Lozanë të Zvicrës, më 31 tetor 2018 Dick Marty bëri përurimin e librit të titulluar “Une certaine idée de la justice- Tchétchénie-CIA-Kosovo-drogue” (Njëfarë ideje për drejtësinë – Çeçenia, CIA-Kosova-droga). Shfrytëzova rastin t’i jepja librin tim dhe t’i kërkoja ballafaqim lidhur me të pavërtetat që përhapin shkrimet e tij për shqiptarët në përgjithësi dhe luftën e UÇK-së në veçanti. Ai e pranoi ftesën time dhe deklaroi publikisht në prezencën e personaliteteve që kishin ardhur për përurimin e librit të tij se do të ballafaqohet me mua sapo të ketë lexuar librin tim.

Pasi kaluan më shumë se pesë muaj nga takimi në Librarinë “Payot” të Lozanës vendosa t’i shkruaj për t’i kërkuar përgjigje lidhur me premtimin e dhënë.

Në përgjigjen e tij të datës 10 prill Dick Marti më shkroi: “ende nuk e kam lexuar librin tuaj, thjesht për arsye se kam qenë i sëmurë dhe nuk kam pasur ende kohë”.

Është fakt që Dick Marty ka pohuar publikisht se ka qenë i sëmurë para se t’i qasej shkrimit dhe publikimit të librit “Une certaine idée de la justice- Tchétchénie-CIA-Kosovo-drogue” (Njëfarë ideje për drejtësinë – Çeçenia, CIA-Kosova-droga), mirëpo gjithashtu është fakt i pamohueshëm se, siç e ka thënë në disa prezantime publike, ai ndihet shumë mirë. Madje gjendjen e tij e shkëlqyer e ka dëshmuar duke qenë i pranishëm në përurimin e librit të tij në shumë qytete të Zvicrës dhe në intervista televizive. Nuk u mjaftua me përurimin e librit në Zvicër por shkroi në shoqërim të delegacionit të Serbisë në Këshillin e Evropës në Strasburg dhe, pos tjerash, edhe atje e bëri përurimin e librit. Madje ai është shëndosh e mirë sa herë duhet të shpifë kundër shqiptarëve.

Po e përsëris atë që i kam shkruar Dick Martyt: Ikja nga ballafaqimi nuk është karakteristikë e atyre personaliteteve që pretendojnë se janë burra të fjalës dhe që shesin moral.

Sa më përket mua e lë të hapur mundësinë e ballafaqimit me cilindo qoftë që ka shpifur rreth luftës çlirimtare të popullit shqiptar. Madje nëse do të ndihej më i sigurt, Dick Marty mund të vijë në debat së bashku me ish- ambasadorin e Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiqin dhe pjesëtarë të Shërbimit Sekret të Serbisë të cilët redaktuan raportin për gjoja “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve në Kosovë”.

P.S.

Gazeta “Večernje Novosti” e datës 11 maj njofton se “hetimi që ka zhvilluar Dick Marty, hetim dinjitoz për romanin më të mirë të spiunazhit, zuri faqet e para të shtypit botëror”.

Libri im “Mashtrimi i madh”, që zhvesh në tërësi raportin e përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe i shpërndarë në emër të Dick Martyt, zuri vend në depot e institucioneve të Kosovës!”, ka shkruar Mahmuti.

Ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, ka thënë se nuk dihet e gjithë e vërteta për krimet në Kosovë dhe se shumë fajtorë nuk janë përgjigjur për atë që kanë bërë.

Lexo po ashtu Lajmërohet Dick Marty, paralajmëron "dëshmi" të reja për krimet e luftës në Kosovë

“Vetëm e vërteta për konfliktin në Kosovë mund të çojë deri te pajtimi. Unë vetëm pak e kam shpalosur. Mbetet shumë për t’u bërë në këtë drejtim”, ka thënë Marty, për gazetën serbe “Vecernje Novosti”

Të përkujtojmë se ish-përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) pulicisti Bardhyl Mahmuti, nëpërmjet letrave publike tri herë i ka kërkuar ballafaqim të drejtpërdrejtë zviceranit Dick Marty, rreth divergjencave thelbësore që karakterizojnë librat e tyre lidhur me luftën në Kosovë./Telegrafi/

Exit mobile version