Site icon Telegrafi

Bardhi: Të shtyhet afati i Komisionit Hetimor në shëndetësi, Beqaj kërcënoi deputetët e opozitës

Seanca plenare ka nisur me debate ndërmjet kryetares së parlamentit Elisa Spiropali dhe përfaqësuesve të opozitës.

Shkak u bë prezenca e Ilir Beqajt gjatë mbledhjes së komisionit hetimor në Shëndetësi, mbledhje e cila zgjati deri pas mesnate.

Kryetari i grupit parlamentar në PD, Gazment Bardhi tha se kryetarja e Kuvendit duhet të shqetësohet për kërcënimet që bëhen ndaj deputetëve të opozitës dhe jo për etikën e komunikimit të deputetëve të opozitës.

“Ti zonjë duhet të jesh shumë e shqetësuar që një person i paraburgosur nën hetim nga drejtësia, dje lëvizte i lirë në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, madje guxonte të futej në sallën e mbledhjeve të komisionit dhe guxonte i pashqetësuar të kërcënonte deputetët e opozitës.

Ju si kryetare duhet të kishit qëndrim për këtë dhe jo të kujdeseshit për etikën e komisionit tonë. Si guxon ky kriminel që të kërcënojnë deputetët e opozitës dhe ju duhet të keni qëndrim për këtë dhe jo për etikën tonë të komunikimit”- tha Bardhi.

Nga ana tjetër nënkryetari i PD-së, Flamur Noka, po ashtu e cilësoi si sulm ndaj opozitës futjen e Beqajt në mbledhjen Komisionit Hetimor.

“Dje shqiptarët ndoqën një seancë të turpshme në seancën e komisionit hetimor për shëndetësinë. I jepni urdhër gardës të ushtrojë dhunë ndaj opozitës, një hajdut dy metra i gjatë, i burgosur për vjedhje guxon që të sulmojë të agresojë Kuvendin e Shqipërisë deputetët e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë.

Ajo sjellje tregon qasjen tuja për të mbrojtur hajdutët. Paniku bën që ju shkelni çdo normë çdo standard dhe çdo rregullore. Garda e Republikës e ka lënë komisionin hetimor të shëndetësisë pa gardistë, pas asnjë punonjës garde. Ilir Beqaj guxonin të intimidon deputetët”- tha Noka.

Bardhi kërkoi po ashtu të lejohet të zgjatet afati i Komisionit Hetimor në Shëndetësi.

“Të kemi mundësi të respektojmë kushtetutën e vendit”, tha Bardhi. /Telegrafi/

Exit mobile version