Reparti i patologjisë dhe urgjencës në Spitalin e Kavajës po përgatitet për tu kthyer në qendër karantine.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, nëpërmjet një reagimi në rrjete sociale shprehet se është e papranueshme kthimi i Spitalit të Kavajës në karantinë, pasi është spital i një qendre të banuar.
Ai shkruan në Facebook se ky vendim ka ardhur nga ministria e Shëndetësisë të cilën ai e akuzon për papërgjegjshmëri.
Bardhi shton se spitali i një qendre të banuar nuk mund të përdoret si karantinë pasi rrezikon jetët e qytetarëve.
“Sot në repartin e patologjisë dhe urgjencës në Spitalin e Kavajës kanë nisur përgatitjet, me urdhër të Ministres së Shëndetësisë, për ta kthyer në Karantinë. Kjo është papërgjegjshmëri! Zgjedhja e një spitali të një qendre të banuar për Karantinë është kërcënim serioz për jetën e të gjithë banorëve. Ky është një provokim i rëndë për Kavajën! I bëj thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të mi të mos e pranojnë trajtimin nga Edi Rama si banorë të parëndësishëm, jeta e të cilëve nuk ka rëndësi për Kryeministrin. Karantinën ta ndërtojë në shtëpinë e tij në Surrel, jo në Kavajë”, ka shkruar ai.
Ndërkaq, për shkak të disa vdekjeve dhe mbi 150 të infektuar nga coronavirusi në Itali, një shkollë ka njoftuar mbylljen e përkohshme në Tiranë.
Bëhet fjalë për shkollën “Udha e shkronjave” e cila në njoftimin e saj thotë se nuk ka asnjë informacion konfidencial, por e mori këtë vendim si një masë parandaluese të coronavirusit./Telegrafi/