Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, deputeti i opozitës Gazment Bardhi, ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama për lidhje me krimin e organizuar.
Ai tha se Rama ka caktuar Ergys Agasin si përfaqësues të posaçëm për të mbajtur marrëdhëniet mes tij dhe krimit të organizuar, dhe për këtë sipas tij, janë në dijeni edhe deputetët e mazhorancës. Bardhi theksoi se edhe në krye të Shërbimit informativ Shtetëror është vendosur njeriu i Agasit, i cili i jep informacione krimit të organizuar.
“Ju e thoni në kafe por nuk keni guxim ta thoni këtu. Edhe ju e dini që Rama ka caktuar një përfaqësues për të mbajtur marrëdhëniet mes tij dhe krimit të organizuar. Nuk e dini ju këtë? Nuk jeni ju që pëshpërisni si Ahmetaj që Ergys Agasi është koordinatori i posaçëm i Ramës me krimin e organizuar e nisi ta testonte në Durrës, e çoi në Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe të gjithë Shqipërinë dhe pasi krijoi gjithë lidhjet me krimin e organizuar e di çfarë bëri Edi Rama njeriun e Ergys Agasit e emëroi drejtuesin e SHISH dhe kjo sot është një organizatë që i shërben krimit të organizuar, që në vend të fuqizojë me informacione parandaluese SPAK-un tenton të marrë informacione brenda SPAK-ut, që të furnizojë me informacione krimin e organizuar”.
Në përgjigje të refuzimit të kërkesës për mocion me debat për emisionin e RAI 3 për Shqipërinë, Bardhi tha se argumentet e Nikollës janë tallëse.
“Nuk e di kush ka vendosur të tallet me ju për këtë shkresë që më keni sjellë dje pasdite. Edhe pse ndjehem i turpëruar që një kryetare kuvendi firmos argumente të këtij niveli jam i detyruar të informoj opinionin publik. Ajo që kryetarja e kuvendit ka vendosur të bëjë për mocion me debat kërkuar nga grupi i PD nuk është thjesht shkelje e kushtetutës dhe rregullores, pro është pjesë e një filozofie që e ka shpallur luftën krimit të organizuar si jashtë fushës së veprimtarisë së Këshillit të ministrave. Kjo është përgjigjja që unë kam marrë nga kryetarja e kuvendit. Më thotë që lufta ndaj krimit të organizuar nuk bën pjesë në fushën e veprimtarisë së Këshillit të Ministrave.
Edhe argumenti i dytë që më ka dhënë kryetarja e Kuvendit, më thotë që në kërkesën për mocion, unë nuk e kam përmendur asnjëherë kryeministrin, kam referuar të dhëna publike raste dekriminalizimi, dosje penale në prokurori, padyshim informacione e investigime nga media, më thotë ke shkelur etikën se ke cenuar, se këta e dinë që Rama është i lidhur me krimin, dhe nëse ti përmend debat për krimin e organizuar këta shfaqin që ne po kërkojmë debat për Edi Ramën, ke cenuar integritetin personalitetin individualitetin personal e politik të figurës kushtetuese të kryeministrit. Këto janë dy argumente që ju zonja kryetare me keni sjellë me shkrim, ku kërkesa jonë ka të bëjë me një shqetësim real të qytetarëve”. /Telegrafi/