Site icon Telegrafi

Bardhekaltrit synojnë kualifikim direkt në “final-four”

Për momentin, Sigal Prishtina renditet në pozitën e parë me gjasa që aty të mbetet deri në fund, ndërkohë që Peja si e 5-ta shpreson të jetë pjesë e garave përfundimtare. Ndeshjet e xhiros së 12-të kanë dëshmuar cilësinë e dy skuadrave kosovare, të cilat janë bërë pjesë e komenteve të shumta në këtë ligë.

Fitorja e Sigal Prishtinës ndaj kampionit Galil Gilboa dhe e Pejës ndaj nënkampionit Levski Sofia, nuk ka dyshim se kanë zgjuar kureshtjen e dashamirëve të basketbollit, jo vetëm në Kosovë. Sigal Prishtina tani synon njërën nga dy pozitat e para, të cilët mundësojnë pjesëmarrjen në “final-four” pa kualifikime, kurse skuadra të renditura në pozitën 3, 4, 5 e 6 zhvillojnë ndeshje mënjanuese për dy vende të tjera në “final-four”.

“Po, synimi ynë është që të renditemi në dy pozitat e para në mënyrë që t’u ikim kualifikimeve. Ne mund ta arrijmë këtë dhe kjo është dëshmuar me paraqitjen tonë veçmas në ndeshjen kundër skuadrës më të fortë Galil Gilboa”, tha Dardan Berisha, individi më i dalluar dhe më i merituari për fitoren e prishtinasve në këtë ballafaqim. Ai është i bindur se po kthehet në formën e dikurshme dhe se kjo skuadër edhe në vazhdim është në gjendje të tregojë cilësi për të mbetur aty ku është.

“Ndeshja me izraelitët ishte paraqitja ime më e mirë deri më tash dhe kjo më gëzon, pasi po tregon se pas lëndimit po kthehem në formë dhe atë në momentin më të duhur për skuadrën time. Jam i bindur se jemi në gjendje të vazhdojmë me ritëm të tillë, por nuk duhet ta humbim vetëbesimin dhe duhet ta japim maksimumin në çdo ndeshje pasi dallimi i cilësisë së skuadrave nuk është i madh”, tha Berisha.

Edhe drejtuesit e skuadrës bardhekaltër janë të kënaqur me rrjedhën e deritashme në Ligën Ballkanike, dhe me suksesin e skuadrës së tyre. Kjo ka bërë që ata të mendojnë edhe për mundësinë e organizimit të turneut përfundimtar të garave në Prishtinë, gjithnjë duke e parë atmosferën në mesin e skuadrave, të cilat pavarësisht nga epilogu i ndeshjeve po largohen me përshtypje të mira nga kryeqyteti kosovar, madje shpesh mahniten me shikueshmërinë dhe atmosferën që po krijohet në palestër.

“Nuk e kishim synim, madje nuk e kishim menduar fare një gjë të tillë, por tani pothuajse çdo ditë e më shumë po mendojmë edhe për mundësinë e organizimit të final-four në Prishtinë.Derisa infrastruktura në palestër ka qenë pengesë, kjo tash nuk mund të thuhet, pasi gjërat kanë ndryshuar për të mirë”, thotë Florian Miftari, drejtor i Sigal Prishtina, duke mos lënë anash as tifozërinë. “Sa i përket shikueshmërisë aty nuk ka fare dilema.

Po e shihni edhe vet se në për dallim nga ndeshjet në Prishtinë ku palestra është e mbushur dhe krijohet spektakël i madh, në ndeshjet tjera nuk ka shumë shikues dhe ndeshjet luhen pothuaj në palestra të zbrazura”, tha Miftari. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version