Barcelona nuk do të lejohet të blejë lojtarë të rinj këtë verë, ka thënë presidenti i La Ligas, Javier Tebas në një intervistë të fundit.
Gjiganti katalanas ishte në prag të kolapsit financiar dy vite më parë, por me huamarrje të reja dhe një marrëveshje me drejtuesit e ligës, gjithsesi arriti të mbijetonte, por në kushte të veçanta.
Barcelona duhet të veprojë në atë mënyrë që të garantojë stabilitet financiar, e gjitha kjo në marrëveshje me drejtuesit e ligës.
Vera e kaluar solli përforcime të shumta në klub dhe Tebas vendosi të mos lejojë ekstravagancë në dy afatet e ardhshme kalimtare.
Kështu, Barcelonës nuk iu lejua të sjellë askënd në janarin e kaluar dhe do të ndalohet për transferimet e ardhshme edhe gjatë verës, ka thënë Tebas.
Skuadra e Xavi Hernandez po kalon një sezon shumë të mirë deri tani sa i përket rezultateve.
Pavarësisht eliminimit nga Liga e Evropës nga Manchester United, ata kanë ende shtatë pikë epërsi ndaj Real Madridit në kampionat, kur kanë mbetur edhe 15 ndeshje. /Telegrafi/