Barcelona ka fituar ndaj Atletico Madridit me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen derbi të javës së 27-të të La Ligas.
Pjesa e parë e takimit i takoi në përgjithësi Barcelonës, të cilët e dominuan në çdo aspekt këta 45 minuta të parë.
Megjithatë, katalunasit arritën ta shënojnë vetëm një gol nga kjo pjesë, me Lionel Messin (26′), i cili i kaloi në epërsi 1-0 me anë një supergoli nga goditja e dënimit.
Deri në fund të pjesës së parë, futbollistët e Valverdes provuan edhe disa herë me anë të Luis Suarez (33′) dhe Philippe Coutinho (38′), por nuk arritën t’i ndërrojnë shifrat.
Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë me dy skuadrat e kujdesshme, duke arritur të dyja ta shënojnë nga një gol.
Megjithatë, goli i Suarezit (77′) dhe ai i Kevin Gameiros (85′) u anuluan nga gjyqtari për shkak të pozitave jashtë loje dhe ndeshja përfundoi me rezultatin e pjesës së parë, pra fitoren e Barcelonës 1-0.
Pas kësaj fitore, Barcelona vazhdon në pozitën e parë me 69 pikë apo tetë më shumë se Atletico Madridi në pozitën e dytë.
Në ndeshjen e radhës, Blaugranët luajnë në udhëtim te Malaga, ndërsa Atletico e pret në shtëpi Celta Vigon. /Telegrafi/