Telegrafi

Barcelona do të largohet përkohësisht nga Camp Nou në vitin 2023, por do të luajë në një stadium tjetër të madh në të njëjtin qytet

Futbollistët e Barcelonës do të largohen përkohësisht nga stadiumi i tyre Camp Nou gjatë gjithë sezonit 2023/2024 për shkak të rinovimeve.

Presidenti i klubit Joan Laporta dhe kryebashkiaku i Barcelonës, Ada Colau njoftuan sot se rinovimi i Camp Nou do të fillojë në fund të këtij sezoni.

Në sezonin e ardhshëm Barça do të luajë në stadium, por me kapacitet të reduktuar prej 50 për qind, ndërsa në sezonin 2023/2024 stadiumi do të duhet të mbyllet.

Barça do t’i luajë ndeshjet e saj atë sezon në stadiumin olimpik Montjuic, i cili ndodhet në kodrën me të njëjtin emër mbi qytetin e Barcelonës, dhe më pas do të kthehet në Camp Nou me 50 për qind kapacitet.

Ky stadium ka një kapacitet prej 60 mijë shikues.

Ky projekt afatgjatë i quajtur Espai Barca, rinovon të gjithë kompleksin sportiv që përfshin edhe sallën.

Ai do të përfundojë në vitin 2026 dhe do të kushtojë në total 1.5 miliard euro. /Telegrafi/