Site icon Telegrafi

Barcelona ‘rrëshqet’ në fund, barazon në derbi ndaj Espanyolit

Espanyol - Barcelona (Foto: Alex Caparros/Getty Images/Guliver)

Barcelona u desh të kënaqet me një barazim 2-2 në udhëtimin e tyre për derbin lokal ndaj Espanyolit në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të në La Liga.

Skuadra e Ernesto Valverdes ishte shumë afër një fitoreje të madhe me rikthim ndaj rivalit të urryer lokal, por u ndëshkuan në fund dhe barazuan.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Barcelonës, por ishin vetëm vendasit që shënuan gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 23-të dhe ishte David Lopez, i cili shënoi me kokë për 1-0, ndërsa për Barcelonën rastin më të mirë e pati Luis Suarez (42’), por goditja e tij u ndal nga shtylla.

Momenti i golit nga Lopez (Foto: Alex Caparros/Getty Images/Guliver)

Në pjesën e dytë, Barcelona hyri me krejt tjetër fytyrë duke shpeshtuar sulmet dhe duke gjetur dy gola të shpejtë për të kthyer rezultatin.

Fillimisht ishte Suarez (50’) që shënoi për 1-1 pas asistimit të Jordi Albas, ndërsa Arturo Vidal (59’) shënoi me kokë për 1-2.

Suarez dhe Vidal kthyen Barcelonën në lojë (Foto: Alex Caparros/Getty Images/Guliver)

Në vazhdim të ndeshjes, vendasit u ngjallën në kërkim të golit të barazimit dhe atë e gjetën në fund të ndeshjes, falë edhe daljes jashtë të Frenkie De Jong (75’) me karton të kuq.

Ishte kinezi Lei Wu (88’), i cili shënoi për barazimin 2-2 dhe vulosi rezultatin përfundimtar të takimit.

Pas këtij barazimi, Barcelona gjendet në vendin e parë me 40 pikë, po aq sa ka Real Madridi i dyti, ndërsa Espanyol renditet i fundit me 11 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Blaugranët e presin Granadan, ndërsa Espanyoli udhëton te Villarreali. /Telegrafi/

https://twitter.com/your_vo/status/1213572430482067456

https://twitter.com/TurfTape/status/1213573384111411201

https://twitter.com/reis_resenha/status/1213578253077798913

 

Exit mobile version