Ish-portieri i Barcelonës, Claudio Bravo ka kritikuar klubin katalunas për punën e brendshme duke shkaktuar jo pak befasi me deklaratat e tij.
Barcelona ka vite që është duke pasur probleme financiare dhe ndryshimet e tyre gjithmonë komentohen.
Megjithatë, ish-portieri i tyre, Bravo e ka kritikuar punën dhe qasjen e drejtuesve, duke bërë një krahasim me Manchester Cityn, ku mbrojti gjithashtu për disa vite.
“Barça është gjigante në nivel global, por ata punojnë si një ekip i vogël. Gjithmonë shihni të njëjtat fytyra, pak njerëz: lojtarë, staf, roje, etj”, ka thënë fillimisht Bravo për mediat.
“Ndërkohë, Manchester City është gjigant nga brenda, ata nuk kursejnë në burime apo personel për t’u siguruar që një lojtar të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, përfundoi kiliani.
Në të vërtetë, stafi i Barcelonës nuk po ndryshon dhe po përmirësohet aq shpejt sa ai i Manchester Cityt. Bravo u largua nga klubi shumë kohë më parë, por disa trajnerë që e stërvitën atë në atë kohë janë ende në klub.
Sidoqoftë, skuadra ka ndryshuar shumë gjatë viteve, veçanërisht nëse e krahasojmë me atë që Barcelona kishte në vitin 2020 ose 2021.
Bravo ishte pjesë e Blaugranëve nga viti 2014 deri në vitin 2016, duke fituar tetë trofe me klubin. /Telegrafi/