Telegrafi

Barcelona publikon të gjitha detajet e marrëveshjes me Spotify

Klubi katalunas, Barcelona ka ratifikuar sot (e diel) marrëveshjen sponsorizuese me Spotify dhe në faqen zyrtare të klubit ka publikuar të gjitha detajet.

Asambleja e jashtëzakonshme e anëtarëve të delegatëve të Barcelonës e mbajtur sot praktikisht ka ratifikuar marrëveshjen e partneritetit midis FC Barcelona dhe Spotify, me anë të së cilës platforma muzikore do të bëhet partneri kryesor i klubit dhe partneri zyrtar i transmetimit të tyre.

Për ratifikimin e marrëveshjes kërkohej një shumicë e thjeshtë, por Kuvendi i Jashtëzakonshëm i dha mbështetje marrëveshjes së re me 89 për qind të votave pro, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Barcelona e ratifikon marrëveshjen e sponsorizimit me Spotify, Laporta e cilëson si më të mirën në historinë e klubit

Spotify do të shfaqet në pjesën e përparme të fanellave të ekipit për meshkuj dhe femra duke filluar nga sezoni 2022/23 dhe për katër sezonet e ardhshme.

Kompania Spotify do të sponsorizojë gjithashtu fanellat e stërvitjeve duke filluar nga sezoni 2022/23 për tre sezonet e ardhshme.

Marrëveshja afatgjatë për të drejtat e titullit të stadiumit, i cili do të quhet “Spotify Camp Nou” fillon në korrik të 2022 dhe do të vazhdojë gjatë ri-zhvillimit ambicioz të zonës Camp Nou, si pjesë e projektit Espai Barça, i cili do të transformojë ambientet dhe mjedisin e klubit në një të klasit botëror, të ri.

Detajet financiare nuk janë bërë publike, por Barcelona thuhet se do të fitojë 280 milionë euro për katër vite apo 70 milionë në sezon. /Telegrafi/