Telegrafi

Barcelona po punon për të ‘hequr qafe’ veteranët me paga të larta

Barcelona është duke punuar rreth metodave që do t’i përdor për të hequr nga skuadra disa prej fituesve të saj më të mëdhenj, ku përfshihen tre nga katër kapitenët e saj.

Sipas gazetës Mundo Deportivo, kontrata e Sergio Busquets përfundon verën e ardhshme dhe nuk ka negociata për ta rinovuar atë.

Së bashku me Jordi Alba dhe Gerard Pique, ata përfaqësojnë një barrë të konsiderueshme financiare që nuk reflektohet me paraqitjet në fushë.

Klubi ka konsideruar përpjekjen për të arritur një marrëveshje të ndërsjellë për të shkëputur kontratat me dyshen, Alba dhe Pique.

Megjithatë, edhe nëse pranojnë, pagat e tyre do të llogariten ende në kufirin e pagave në La Liga për sezonet e mbetura të kontratës së tyre.

Presidenti Joan Laporta me sa duket po përpiqet ta ndryshojë këtë. Ai ka folur me presidentë të tjerë në ligë për të ndryshuar rregullin në mënyrë që lojtarët që ndërpresin reciprokisht marrëveshjen e tyre me një klub, të mos llogariten më në kufijtë e pagave.

Më pas ai do ta çonte këtë konsensus në La Liga në mënyrë që të përpiqej të kalonte ndryshimin.

Siç thekson Mundo Deportivo, Barcelona nuk ka raporte të mira me La Ligën kohëve të fundit dhe mund të jetë një bisedë e ndërlikuar. /Telegrafi/