Sevilla dhe Barcelona kanë luajtur baras 0-0 në derbin e javës së 30-të në La Liga.
Pjesa e parë u karakterizua me lojë të kujdesshme nga të dyja skuadrat që nuk lëshoheshin shumë në fazën ofensive.
Rasti më i mirë në këtë pjesë iu tregua yllit argjentinas Lionel Messi, por që goditja e tij në minutën e 24-të u bllokua nga mbrojtësit vendas.
Në minutën e fundit të pjesës së parë pati një përplasje mes futbollistëve të të dyja skuadrave, ku e filloi atë Lionel Messi dhe Diego Carlos.
Pas tyre në zënkë u përfshinë edhe Sergio Busquets e Fernando, ku këta dy të fundit edhe u ndëshkuan nga gjyqtari me kartonë të verdhë.
Kësisoj 45 minutat e para të kësaj sfide përfunduan ashtu siç filluan me rezultat të bardhë 0-0.
Vendasit e nisën më mirë takimin, ku rrezikuan në dy raste me Lucas Ocampos, ku njëherë intervenoi Ter Stegen për mrekulli, ndërsa në rastin e dytë goditja e argjentinasit shkoi mbi portë.
Lionel Messi ishte shumë pranë të shënonte nga gjuajtja e lirë në minutën e 73-të, por intervenoi portier vendas Vaclik duke ia mohuar golin kapitenit të Barcelonës.
Rast të artë për të shënuar gol pat Luis Suarez në minutën e 88-të, por goditja e tij u ndal nga shtylla.
Deri në fund më nuk pati raste dhe ndeshja përfundoi ashtu siç filloi me rezultat të barabartë 0-0.
Përkundër barazimit Barcelona vazhdon të mbetet në krye të La Ligës me 65 pikë, tri më shumë se ndjekësi më i afërt Real Madridi që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Në anën tjetër Sevilla ndodhet në pozitën e tretë në tabelë me 52 pikë të grumbulluara pas 30 javëve në La Liga.
Në ndeshjen e radhës Barcelona do të luaj në Camp Nou ku për kundërshtar do ta ketë Athletic Bilbaon.
Në anën tjetër, Sevilla në javën e 31-të të La Ligas do të luaj në udhëtim te Villareal. /Telegrafi/