Telegrafi

Barcelona njofton se ish-futbollisti i tyre ka ndërruar jetë pas një aksidenti tragjik

Futbolli argjentinas është në zi, pasi dy futbollistë binjakë kanë humbur jetën.

Fjala është për dy vëllezërit argjentinas Maxi e Leonardo Rolon të cilët janë shuar në moshën 27-vjeçare.

Dy vëllezërit binjakë ishin duke udhëtuar së bashku me makinë ku kanë pësuar një aksident të rëndë që ka rezultuar me fatalitet.

Ka qenë faqja zyrtare e Barcelonës që ka njoftuar për vdekjen e ish-futbollistit të tyre Maxi Rolon.

“Jemi të tronditur nga vdekja e Maxi Rolon, një futbollist i të rinjve të Barcelonës nga viti 2010 deri më 2016. Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe i dërgojmë mbështetjen e plotë familjes së tij. U prefsh në paqe”, ka shkruar faqja zyrtare e Barcelonës.

Ish-anëtari i Barcelonës B ka luajtur edhe për Santosin në Brazil, CD Lugon në Spanjë, Arsenal Sarandin në ARgjentinë, Coquimbo Unido në Kili, Fuerza Amarilla në Ecuador si dhe Al-Diwaniya në Egjipt.

Ndërkohë vëllai binjakë i Maxit, Leonardo Rolon ka luajtur për Velez Sarsfield, CS Emelec, Arsenal Sarandi, CD Iquique, Audax Italiano, Cafetaleros, Quilmes, Guemes dhe Mitre. /Telegrafi/