Tifozët e Barcelonës vazhdojnë të mbeten në mungesë informacioni se kur do të rihapet stadiumi ikonik ‘Camp Nou’ pas rinovimeve të mëdha që janë kryer atje.
Blaugranasit janë të etur që të rikthehen në shtëpi, por duke pasur parasysh pengesat e shumta në projektin e ndërtimit, nuk duket aspak e sigurt se ata do të jenë në gjendje të rikthehen para qershorit, pavarësisht garancive që kanë marrë nga kompania ndërtimore që po udhëheq punimet.
Për shkak të një kalendari të ngjeshur, të ndarë në tri kompeticioni, klubi mund të zgjedhë pragmatizmin dhe të qëndrojë në ‘Estadi Olimpic Lluis Companys’ për pjesën e mbetur të sezonit 2024/2025.
Barcelona e ka dërguar kërkesën për të qëndruar në këtë stadium deri në fund të sezonit dhe ajo është konfirmuar tashmë nga autoritetet lokale.
Ka ende optimizëm që ndeshjet e fundit të sezonit 2024/2025 të luhen në ‘Camp Nou’ ku ishte përmendur përballja ndaj Real Madridit e cila është paraparë të luhet më 11 maj.
Sidoqoftë, kjo shpresë duket se është shuar pas një përditësimi të fundit nga nënpresidentja e Barcelonës, Elena Fort, e cila ka konfirmuar se klubi do t’i shmanget dhënies së datave për rikthimin në ‘Camp Nou’.
“Deri më sot ne nuk do të dhurojmë një datë të saktë për rihapjen dhe rikthimin në Camp Nou”.
“Fotografia që po ua tregoj sot, e cila mund të ndryshojë brenda javës, është puna që po bëhet me shpejtësi të madhe”.
“Dje ne publikuam disa foto të ulëseve të reja që janë vendosur dhe ne po punojmë me problemet me barin”, ka thënë Fort./Telegrafi/